RMV, opozita shqiptare paralajmëroi bllokim të rrugëve nëse nuk zgjidhet anëtar i tyre i KSHZ-së

Opozita e bashkuar shqiptare në RMV, paralajmëroi edhe një herë sot se nëse nuk zgjidhet anëtari i shtatë i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, anëtari tyre, ata do të bllokojë Kuvendin e Maqedonisë dhe rrugët, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se janë duke shqyrtuar çdo lloj shprehje të revoltës me qëllim që kandidati i opozitës shqiptare të zgjidhet si anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Po shqyrtohet mundësia e bllokimit të Kuvendit, bllokimit të rrugëve para Kuvendit dhe Qeverisë. Organizimi i çfarë do lloj shprehje të revoltës, me qëllim që KSHZ të kompletohet dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë të kenë mundësi të votojnë për partinë politike në të cilën besojnë”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Deputeti Fadil Zendeli kërkoi nga kryetari i ri Kuvendit, Jovan Mitrevski, urgjentisht ta udhëzojë Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, të mbajë seancë ku për anëtar të KSHZ-së të propozojë kandidatin e opozitës shqiptare.

“Bëjmë apel që të reflektojë dhe të caktojë sa më shpejtë seancën e Komisionit përkatës dhe seancën plenare për votimin e kandidatit të opozitës shqiptare. Nëse edhe kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitrevski do të vazhdojë të bllokojë këtë proces, njëjtë si Talat Xhaferi atëherë do të dëshmohen dy gjëra, se BDI dhe LSDM bashkë po tentojnë të gjymtojnë KSHZ-në me qëllim që të falsifikojnë zgjedhjet, dhe se koalicioni i tyre po shkon drejt futjes së vendit në komunizëm dhe jo në BE.”, tha deputeti Fadil Zendeli.

Lidhja Evropian për Ndryshim paralajmëroi se do të bllokojë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut fillmisht më 5 janar, për shkak se sipas tyre, Talat Xhaferi po e pengonte përfaqësimin e opozitës në KSHZ.

Përndryshe, më 18 dhjetor, Lidhja Evropiane për ndryshim propozoi Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së.

Ata  prej kohësh kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita.