Lidhja Europiane për Ndryshim: Kryetari i Kuvendit të veprojë në bazë të Kushtetutës, të zgjidhet anëtari i opozitës në KSHZ
Nga Lidhja Europiane për Ndryshim përmes një kumtese dërguar mediave kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), njofton Portalb.
“Konkursi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tashmë është mbyllur dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi po ashtu është i njoftuar se kandidat i Lidhjes Europiane për Ndryshim është Abdush Demiri. Pasi kanë kaluar 24 orë që kur kreu i Kuvendit është njoftuar përmes letrës zyrtare, kërkojmë që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse të cilat theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Veprimi adekuat i kryetarit të Kuvendit do të dëshmojë se pushteti dëshiron që zgjedhjet e ardhshme të jenë fer, demokratike dhe transparente”, theksojnë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.
Në të kundërtën, potencohet në kumtesë, do të kuptohet se pushteti, pjesë e të cilës është edhe kryetari i Kuvendit, po përgatitet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të manipuluara, jo-demokratike dhe pa përfaqësues të opozitës shqiptare. Nga Lidhja Europiane për Ndryshim thonë se kjo kuptohet se do të ndikojë negativisht edhe para institucioneve ndërkombëtare dhe në procesion eurointegrues të vendit.
“Indicie të para për manipulim të zgjedhjeve veçmë janë dhënë nga ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i cili si kryesues me OSBE-në ka tentuar të ndikojë të ulë numrin e vëzhguesve të këtij institucioni kaq të rëndësishëm ndërkombëtar i cili mbikëqyr dhe vlerëson proceset zgjedhore. Po ashtu njoftojmë opinionin dhe krerët shtetëror, se nëse përpiqen që të mbajnë plotësisht nën kontroll KSHZ-në dhe ta lënë pa përfaqësues të opozitës shqiptare, në këtë rast të Lidhjes Europiane për Ndryshim, atëherë ne nga java e ardhshme do të informojmë të gjitha institucionet ndërkombëtare, ambasadat e vendeve mike si atë të SHBA-së, BE-së por edhe të vendeve tjera evropiane”, theksojnë në kumtesë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.
Ata shfaqin shpresë që pushteti do ta vendos interesin shtetëror para interesit partiak dhe personal.
Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita. Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti më 7 nëntor të këtij viti informoi se Abdush Demiri është kandidati i bllokut opozitar shqiptar “Lidhja evropiane për ndryshim” për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ju ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet
Partitë mendojnë ndryshe për kohën dhe organizimin e zgjedhjeve. LSDM dëshiron që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen veçmas, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të dy ciklet zgjedhore të shkrihen në një proces zgjedhor.
- LEXO: Abdush Demiri është kandidat i opozitës shqiptare për anëtar të KSHZ-së
- LEXO: “Diçka po zihet”, Mexhiti për anëtarin e opozitës në KSHZ: Nuk ka logjikë që ASh-ja bëhet sikur përfaqëson opozitën
- LEXO: Xhaferi: Deri në Vitin e Ri partitë politike të vendosin datën e zgjedhjeve
- LEXO: Partitë filluan fushatën ende pa u shpallur zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut