Lidhja Evropiane për Ndryshim për anëtar të KSHZ-së propozoi Abdush Demirin

Lidhja Evropiane për ndryshim propozoi Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së. Nga kjo Lidhje, shtojnë se i kanë dërguar kryetarit të Kuvendit letër, në të cilën i kanë thënë se partitë e vetme opozitare sipas definicionit të nenit 2, paragrafi 10, i Kodit Zgjedhor, janë AlternAtivA dhe Lëvizja Besa, si parti që kanë dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo letër ka ardhur pasi  Xhaferi, u ka dërguar letrën për propozim të kandidatit edhe dy partive të tjera, që janë formuar së fundi, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë rast ia kam tërhequr vërejtjen që të pushojë me lojërat e ulëta për ta sabotuar një të drejtë ligjore që i takon opozitës shqiptare, se le që nuk i ka hije as atij, për shkak të pozicionit që e ka dhe pozicionit që e synon, por ky është edhe një turp për demokracinë dhe, në përgjithësi, për pluralizmin politik. Prandaj sot jam këtu që ta njoftoj opinionin se kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së është z. Abdush Demiri, por ta njoftoj edhe publikun me lojërat e këtij kryetari të Kuvendit, si dhe me sabotimet e kësaj shumice antidemokratike. Që këtu dëshiroj të kërkoj mbështetje edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë, veçmas na misioni OSBE-ODIHR, Misioni i BE-së në Shkup, si dhe Ambasada e SHBA-së, që të marrin masa për të garantuar zgjedhje të drejta dhe demokratike. Nëse ky sabotim vazhdon dhe ky anëtar i KSHZ-së i jepet ndonjë partie satelite, që e ka formuar BDI-ja së fundi ose kjo zgjedhje sabotohet që vendi i anëtarit tonë të mbetet vakant, atëherë le t’ia ndalojnë opozitës pjesëmarrjen në zgjedhje njësoj siç bënte Jugosllavia e JNA-së së z. Xhaferi. Por, nëse thonë se e kanë pranuar demokracinë, duhet të mësohen se Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka Kod Zgjedhor që e përcakton se si krijohet përbërja e tij me anëtarë të partive të pozitës dhe të opozitës”, thonë nga LEN.

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim prej kohësh kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi që të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë qartë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita. Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti më 7 nëntor të këtij viti informoi se Abdush Demiri është kandidati i bllokut opozitar shqiptar “Lidhja evropiane për ndryshim” për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).