RMV, një tjetër emër në garën për mbledhjen e nënshkrimeve për president, dje ngriti iniciativën

Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor dje ka arritur edhe një iniciativë tjetër për mbledhjen e nënshkrimeve – Goce Ristov si kandidati i 14-të do të përpiqet që për tre ditë të mbledhë 10 mijë nënshkrime për zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk.

“Sot, Goce Ristov dorëzoi në Komisionin Shtetëror Zgjedhor Iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nënshkrimet do të mblidhen në drejtoritë/zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në të gjithë territorin e vendit”, njoftoi dje KSHZ.

Ristov është kandidati i vetëm për të cilin nuk ka të dhëna se nga vjen dhe pse ka vendosur të fillojë t’i bashkohet garës, pasi mbledhja e nënshkrimeve përfundon të premten.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Në listat e nënshkrimeve për kandidatët kanë nënshkruar gjithsej 108 409 qytetarë.

Deri më tani sfidën e mbledhjes së nënshkrimeve e kanë tejkaluar 7 kandidatë: Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE (28 029), Stevo Pendarovski nga LSDM-ja (21 852), Maksim Dimitrievski nga ZNAM (11 601), Bujar Osmani nga BDI-ja (11 085), Stevço Jakimovski nga GROM (10 887), Arben Taravari nga VLEN (10 709) dhe Biljana Vankovska Cvetkovska nga “E majta” (10 432).

Këtë procedurë akoma nuk e kanë kaluar: Mersiha Smailoviq nga Lidhja Demokratike Boshnjake (1 596), Velo Markovski (1 466), Gjorgji Manaskov (429), Zorica Cvetkovska (204) dhe Poposki (119).

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.