Sot përfundon afati për regjistrimin e personave të sëmurë që duan të votojnë në zgjedhjet lokale në RMV
Sot përfundon afati që personat e sëmurë dhe të pafuqishëm të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2025 më 19 tetor. Sipas Orarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, një votues që nuk është në gjendje të votojë në qendrën e votimit, një person i pafuqishëm ose i sëmurë, dhe dëshiron të votojë në zgjedhje, duhet të njoftojë Komisionin Komunal të Zgjedhjeve jo më vonë se shtatë ditë para ditës së caktuar për votim – 10 tetor në mesnatë, transmeton Portalb.mk.
Për t’i mundësuar personit të votojë në shtëpi, dokumentacioni i duhur mjekësor duhet të dorëzohet në Komisionin Komunal Zgjedhor.
Më 14 tetor, skadon afati për regjistrimin e personave që duan të votojnë në zgjedhje dhe që vuajnë masën e arrestit shtëpiak.
Personat e pafuqishëm ose të sëmurë, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe personat në azile votojnë një ditë para zgjedhjeve, pra më 18 tetor.
Këshillat zgjedhore kryejnë votimin në shtëpitë e të sëmurëve dhe të pafuqishëm dhe të personave në arrest shtëpiak.
Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore në Maqedoni për zgjedhjet lokale të vitit 2025 është 1,832,415 votues. Nga këta votues, 1,717,803 janë të regjistruar në certifikatat e Listës së Votuesve, ndërsa 112,000 votues janë të regjistruar në Listën e posaçme të Votuesve për personat që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, 2,162 votues që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe 450 votues nga azilet e pleqve. Votimi në diasporë nuk zhvillohet në këto zgjedhje.
Ndryshe, më 29 shtator në Maqedoninë e Veriut filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të këtij viti, rrethi i parë i të cilave do të mbahet më 19 tetor. Fushata do të zgjasë pandërprerë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojë deri më 31 tetor.