Fëmijët rikthehen te “Lojërat e Harruara”, premierë në Teatrin Shqiptar të Kumanovës më 17 tetor
Më 17 tetor në Teatrin Shqiptar në Kumanovë do të premiera e shfaqjes për fëmijë “Lojërat e Harruara” me tekst dhe regji të Ibër Dearit, shkruan Portalb.mk.
Shfaqja “Lojërat e Harruara” sjell në skenë një histori plot ngjyra dhe humor që i rikujton të vegjëlve pse loja është e rëndësishme. Përmes personazheve Benit dhe Gimit, fëmijët mësojnë se loja nuk është vetëm argëtim është mënyra më e bukur për të mësuar, për të ndarë gëzimin dhe për të ndërtuar miqësi.
Në këtë udhëtim plot lojëra, muzikë dhe fantazi, publiku bëhet pjesë e skenës luan, qesh dhe ndihmon Benin ta zgjojë shokun e tij nga “gjumi i telefonit.”
Regjisori Ibër Deari për Portalb.mk tha se kjo shfaqje përcjellë rëndësinë e lojës së vërtetë.
“Mesazhi i shfaqjes “Lojërat e Harruara” është të kujtojë rëndësinë e lojës së vërtetë, asaj që ndodh mes fëmijëve, jo nëpër ekrane. Ne jetojmë në një kohë kur shumica e fëmijëve janë të lidhur pas telefonave dhe tabletëve. Lojërat virtuale ua kanë zëvendësuar lojërat reale dhe kanë ulur nevojën për komunikim, lëvizje, fantazi dhe bashkëpunim. Ideja për ta krijuar këtë shfaqje më erdhi nga ajo që shoh çdo ditë fëmijë që rrinë pranë njëri tjetrit, por secili i zhytur në ekranin e vet. Kështu më lindi ideja të bëj një shfaqje që t’u tregojë sa e rëndësishme është loja pa ekran, loja që të bën të lëvizësh, të mendosh dhe të argëtohesh me shokët”, tha Deari.
Ai shtoi se atmosfera në këtë shfaqje është e ngrohtë dhe plot jetë, teatri e ndihmon fëmijën ta kuptojë këtë përmes përjetimit të drejtpërdrejtë.
“Atmosfera e shfaqjes është e ngrohtë dhe plot jetë. Ka shumë humor, lojë dhe momente që të kujtojnë fëmijërinë e dikurshme. Në disa pjesë bëhet edhe pak prekëse, sepse tregon sa shumë janë ndryshuar fëmijët sot. por sigurisht edhe pak nostalgji dhe reflektim. Teatri e ndihmon fëmijën ta kuptojë këtë përmes përjetimit të drejtpërdrejtë. Kur ai sheh aktorët që luajnë, qeshin, bashkëpunojnë dhe krijojnë lojëra pa telefona, e ndien vetë se argëtimi i vërtetë është ai që ndodh mes njerëzve! Në një kohë kur gjithçka po bëhet virtuale, teatri mbetet vendi ku fëmijët prekin realitetin dhe kuptojnë sa bukur është të jenë bashkë”, tha Deari.
Deari shtoi se këtë shfaqje i’a dedikon fëmijëve të sotëm por edhe të rriturve që duan ta kujtojnë fëmijërinë e tyre.
“Këtë shfaqje ia dedikoj fëmijëve të sotëm, por edhe të rriturve që duan të kujtojnë fëmijërinë e tyre. Është një ftesë për të gjithë, për fëmijët që të zbulojnë lojërat e vërteta, dhe për të rriturit që të kujtojnë sa e thjeshtë dhe e bukur ishte lumturia pa telefona e pa rrjetet sociale. Në një mënyrë, është një kujtesë për të rifituar atë pjesë të pastër dhe të gjallë që ndoshta e kemi humbur”, tha Deari.
Kjo shfaqje, por edhe ato që do të vijnë, Deari tha se do të lidhen ngushtë me publikun në Kumanovë.
“Publiku i Kumanovës ka gjithmonë nevojë për shfaqje, sidomos për fëmijë. Janë vetë prindërit që na kanë shkruar disa herë duke pyetur pse nuk ka më shfaqje në gjuhën shqipe për fëmijët e tyre. Si profesionistë të teatrit, e ndjejmë këtë jo vetëm si detyrë, por si mision që të paktën çdo vit të sjellim dy shfaqje për fëmijë. Jam i bindur se jo vetëm kjo shfaqje, por edhe ato që do të vijnë, do të lidhen ngushtë me publikun tonë në Kumanovë”, tha Deari.
Deari potencoi se kjo shfaqje ka fuqi të madhe për të na kthyer pas në kohë.
“Nuk e di nëse teatri do t’i “gjallërojë” plotësisht lojërat e harruara, por ai ka fuqi të madhe për të na kthyer pas në kohë dhe për të na kujtuar ato momente të thjeshta e të bukura. Qëllimi i shfaqjes nuk është t’u ndalim fëmijëve telefonat apo teknologjinë kjo është e pamundur por të nxisim reflektim. Të kuptojmë të gjithë, fëmijë e të rritur, se diçka po humbim kur loja e vërtetë zëvendësohet me ekranin”, tha Deari.
Ai shtoi se shfaqja“Lojërat e Harruara” duhej të të luhet edhe nëpër shkolla, por qëllimi i tyre është t’i sjellin në teatër.
“Po, padyshim. Por qëllimi ynë nuk është vetëm ta çojmë shfaqjen nëpër shkolla, por t’i sjellim fëmijët në teatër. Duam që ata të mësohen të ulen në sallë, të ndjekin një shfaqje, të ndjejnë emocionin dhe magjinë që ndodh vetëm aty. Sot teatrot tona vuajnë nga mungesa e publikut, dhe kjo duhet të fillojë të ndryshojë që në moshë të vogël”, tha Deari.
Në shfaqje luajnë aktorët: Faton Ibrahimi dhe Gzim Latifi.
Shfaqja “Lojërat e Harruara” është prodhim i Teatrit të Kumanovës.
