Tre të bashkëakuzuarit e Thaçit, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, shpallen fajtorë, ndërsa Isni Kilaj lirohet nga të gjitha akuzat, transmeton Dojçe Vele (DW).
Gjykata Speciale në Hagë shpalli aktgjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë duke e dënuar atë me 17 muaj burgim të unifikuar. Gjykatësi Christopher Gosnell, duke lexuar vendimin, tha se Hashim Thaçi shpallet fajtor “për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët, fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe gjithashtu fajtor për mosbindje ndaj gjykatës”.
Fajtorë u shpallën edhe bashkë të akuzuarit me Thaçin, Bashkim Smakaj, ish-shef i Shërbimit Informativ të Kosovës, Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë, dhe Fadil Fazliu, bashkëpunëtor. Bashkim Smakaj u dënua me 12 muaj burgim, por, pas përfundimit të seancës, ai u lirua për faktin se më shumë se 12 muaj ka qenë në paraburgim dhe kjo kohë llogaritet si burgim i kryer. Edhe Fadil Fazliu u dënua me 12 muaj burgim, por edhe ky u lirua pas seancës për faktin se më shumë se 12 muaj ka qenë në paraburgim dhe kjo kohë llogaritet si burgim i kryer. Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht. Bashkë i akuzuari i katërt, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha aktakuzat.
Akuza e organizimit të tre grupeve për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve
I gjithë grupi, nga Prokuroria Speciale e Hagës akuzohej për përpjekje të paligjshme për të ndikuar te dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së, aktgjykim ky dënues që u shqiptuanë shkallën e parë më 16 shtator dhe ku Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Thaçi, në procesin e dytë gjyqësor kundër administrimit të drejtësisë, u akuzua se organizoi tri grupe për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve.
Kryetari i trupit gjykues, Christopher Gosnell, tha se Hashim Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tij akuzohen se kishin bërë marrëveshje për të ndërmarrë veprime të përbashkëta me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Gjithsej, 241 prova materiale janë paraqitur nga Prokuroria. Në mesin e provave janë edhe audioincizimet e bisedave mes Thaçit dhe të bashkëakuzuarve gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, incizime këto të autorizuara nga Gjykata.
