Dashtevski: KShZ mund të funksionojë me gjashtë anëtarë, vendimet do të jenë legjitime

Komisioni Shtetëror Zgjedhor mund të funksionojë me gjashtë anëtarë, kjo është në përputhje me Rregulloren e Punës, tha sot kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me MIA-në, transmeton Portalb.mk.

“KSHZ-ja mund të funksionojë me gjashtë anëtarë sepse kërkohet shumica e votave në KSHZ, dhe sipas Rregullores mund të funksionojmë me gjashtë anëtarë në mënyrë tërësisht solide. Natyrisht, do të ishte e dobishme për ne nëse zgjidhet anëtari i shtatë dhe këtë ua lë në dorë organeve kompetente, përkatësisht Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ne nuk mund të ndërhyjmë në këtë”, tha ai.

I pyetur nëse janë konsultuar me kryetarin e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarit për kompletimin e KSHZ-së, ai thotë se kjo është e rregulluar me Kodin Zgjedhor.

“Ka ligj dhe duhet vepruar sipas ligjit, ndaj nuk kemi çfarë të themi. Nëse ndërhyjmë, do të thotë se nuk po veprojmë sipas ligjit, sepse nuk është detyra jonë t’u themi se çfarë të bëjnë. Dhe nga ana tjetër, do të na ishte e dobishme nëse vjen, e nëse nuk vjen, përsëri gjithçka që duhet bërë do të zbatohet në nivelin më të lartë”, tha Dashtevski, duke përsëritur se vendimet e marra nga KSHZ-ja deri në zbatimin e procesit zgjedhor do të jenë legjitime edhe me gjashtë anëtarë.

Lidhur me atë se a janë dorëzuar kandidaturat për president të shtetit në KSHZ, Dashtevski tha se fillimisht duhet të shpallen zgjedhjet dhe më pas të fillojnë të rrjedhin të gjitha afatet.

Nga ana tjetër, me 27 janar, opozita e bashkuar shqiptare, paralajmëroi edhe një herë se nëse nuk zgjidhet anëtari i shtatë i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, anëtari tyre, ata do të bllokojë Kuvendin e Maqedonisë dhe rrugët.

Më 18 dhjetor, Lidhja Evropiane për ndryshim propozoi Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së.

Ata prej kohësh kërkojnë që Kuvendi të veprojë sa më shpejtë në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse, të cilët theksojnë se opozita duhet të ketë përfaqësuesin e saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Pas emërimit të Krenar Llogës si ministër i Drejtësisë u zbraz një vend në KSHZ i cili duhet të plotësohet me përfaqësues nga opozita.