Këshilli Gjyqësor plotësoi me staf Gjykatën e Apelit në Shkup, janë zgjedhur tetë gjyqtarë të rinj

Këshilli Gjyqësor sot zgjodhi Gabriela Gajdova, Aleksandra Ristevska, Vesna Dimishkova dhe Osman Shabani për gjyqtarë nga fusha penale në Gjykatën e Apelit-Shkup. Me këtë Këshilli Gjyqësor e pajis Gjykatën e Apelit në Shkup me gjithsej tetë gjyqtarë të rinj, pasi më herët në seancën e sotme zgjodhi edhe katër gjyqtarë nga fusha civile – gjyqtarët Aleksandar Shopov, Irena Kostadinova Angelova, Natalija Doneva dhe Ilir Sulejmani, transmeton Portalb.mk.

Këto janë zgjedhjet e para për gjykatën e shkallës së dytë të zhvilluara në bazë të metodologjisë së zhvilluar sipas Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor.

Gjyqtari i renditur i parë në ranglistën përfundimtare për gjyqtarë nga fusha penale, gjyqtari Llazar Nanev nga Gjykata Themelore Kavadar nuk është zgjedhur gjyqtar i Apelit pasi ka marrë 4 vota “pro” dhe 8 vota “kundër” nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor.

Vesna Dameva tha se nuk do ta votojë këtë gjyqtar, edhe pse është i pari në listë, sepse në periudhën e kaluar është gjendur në shumë situata të pazbardhura plotësisht.

Loreta Georgieva tha se nuk duhet të harrohet prezumimi i pafajësisë sepse nuk ka vendim përfundimtar për asnjërën nga akuzat ndaj këtij gjyqtari.

“Unë do ta mbështes gjyqtarin Nanev për cilësitë e tij personale dhe profesionale”, tha Georgieva.

Për gjyqtare në Gjykatën e Apelit-Shkup, Këshilli zgjodhi gjyqtaren e dytë, Gabriela Gajdova, nga Gjykata Themelore e Velesit, e cila mori 12 vota “pro”.

Këshilli Gjyqësor me 9 vota “pro” dhe 2 “kundër” zgjodhi gjyqtaren e rangut të gjashtë Aleksandra Ristevska nga Gjykata Penale e Shkupit.

Gjyqtarja Vesna Dimishkova, nga Gjykata Penale e Shkupit, e renditur e 11-ta, mori 11 vota “pro” dhe një “kundër” dhe u zgjodh gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Shkup.

Këshilli Gjyqësor zgjodhi gjyqtarin Osman Shabani nga Gjykata Penale e Shkupit, i cili si i 13-ti në listë mori 11 vota “pro” dhe një “kundër”.

Kandidatët e mbetur nga ranglista përfundimtare nuk u votuan për shkak se numri i nevojshëm prej katër gjyqtarësh kishte marrë tashmë besimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Në konkursin për tetë pozita në Gjykatën e Apelit ishin gjithsej 45 kandidatë, nga të cilët 21 kandidatë për katër gjyqtarë për fushën civile dhe 24 kandidatë për katër gjyqtarë nga fusha penale.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev, theksoi se ky është vlerësimi i parë sipas metodologjisë së re, duke sqaruar se procesi përbëhet nga dy pjesë, ku një pjesë e kryen Këshilli Gjyqësor në raport me rezultatet e arritura si sasia sipas numrit të çështjeve të zgjidhura dhe të anuluara, ndërsa tjetra zbatohet nga vetë gjykatat.

Periudha e gjatë kohore e kërkuar nga Këshilli Gjyqësor për përzgjedhjen e gjyqtarëve në një gjykatë më të lartë është vënë në dukje edhe në Raportin e Komisionit Evropian.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, i cili para disa muajsh ishte në shënjestër të kritikave nga vendi dhe faktori ndërkombëtar për shkak të një sërë skandaleve, do të reformohet me “vetërregullim”, brifojnë në fillim të muajit ntor nga Ministria e Drejtësisë , të cilët kishin paralajmëruar formimin e Grupit Punues i cili do të identifikojë zbrazëtirat ligjore, të cilat keqpërdoren nga anëtarët e Këshillit.

Komisioni Evropian publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.