Prokuroria paralajmëroi ndryshim të akuzës për aksidentin e “Llaskarcës”, gjykata refuzoi kërkesat e avokatit për rikonstruim dhe ekspertiza të reja

Përfaqësuesi i akuzës, Darko Jakimovski, pas mbarimit të parashtrimit të pyetjeve për ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit për aksidentin tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit në vitin 2019-të, paralajmëroi ndryshim jothelbësor të akuzës, të cilën pritet ta elaborojë seancën e radhës. Avokati i shoferit të autobusit, Lupço Micevski kërkoi të rishikohen CD-të me videoincizimet e kontrolleve të fundit teknike të autobusit para aksidentit, të bëhet rikonstruim i rastit dhe të porositen ekspertiza të reja, me çka gjykimi do të shtyhej edhe për disa vite, por Gjykata i refuzoi këto propozime, raporton Portalb.mk.

Pas 14 seancave prej muajit maj, prokurori dhe avokatët e të akuzuarve mbaruan me parashtrimin e pyetjeve për ekipin prej tre ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit. Prokurori parashtroi disa pyetje plotësuese në lidhje me përgjgijet e ekspertëve ndaj avokatëve të akuzuarve. Pyetjet kryesisht kishin të bëjnë me trajektoren e lëvizjes së autobusit në momentet kritike, shpejtësinë e lëvizjes pas goditjeve në bankina, por edhe për kontrollet e fundit teknike të autobusit para se të ndodh aksidenti.

Avokatët e të akuzuarve disa herë reaguan te Gjykata se prokurori nuk ua citon siç duhet pyetjet që ata ua kanë parashtruar ekspertëve. Gjatë parashtrimit të pyetjeve nga ana e prokurorit, disa herë pati tensione për shkak të reagimit të avokatëve, pasi çka prokurori tha se “si në asnjë proces tjetër, në këtë proces a pasur obstruksione dhe po të kalojë edhe tre karriera nuk do të përsëritej diçka e tillë”.

Propozim për prova të reja, akuza për zvarritje të procedurës

Sapo gjykatësja paralajmëroi përfundimin e procedurës së provave, për fjalë u lajmërua Lupço Micevski, avokati i shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski, i cili është i akuzuar i gjashtë në këtë lëndë.

“Kam tre propozime për plotësimin e procedurës së provave, të cilat dalin deklaratat e ekspertët të superekspertizave”, tha Micevski.

“1 – të kryhet edhe njëherë kontroll i video incizimeve nga kontrollet teknike të 02.07.2018, me qëllim që të verifikohet vërtetësia e deklaratave të ekspertëve të superekspertizave të komunikacionit dhe makinerik. Të vërtetohet fakti nëse me të vërtetë këto prova nuk mund të hapen dhe nuk mund të shihen si dhe nëse të njëjtat nuk mund të shihen, të konstatohet pse është ashtu”, tha Micevski për propozimin e parë.

“2 – Propozoj të bëhet rikonstruim i ngjarjes në vendin e ngjarjes me qëllim të verifikimit të mendimit të superekspertizës së komunikacionit dhe për shkak të verifikimit të mendimit të tyre, nëse në vendin ku ka ndodhur aksidenti, me autobus të njëjtë të shihet që në largësi të kaluar prej 42.5 metra, me rrotat e djathta të vendosura në gjurmën me numër 6, në largësi prej 4,3 metra nga skaji i krahut të djathtë të rrugës me lëvizje të drejtë të autobusit në korsi do të shkojë aq në të majtë deri në vendin ku ka ndodhur goditja e parë në bankinë. Në lidhje me këtë provë, nëse e pranon gjykata, sigurimi i një autobusi të njëjtë nuk do të jetë në ngarkesë të buxhetit të gjykatës, por shpenzimin do ta paguaj unë si dhe shoferin do ta siguroj”, tha Micevski.

“3 – Gjykata të porositë superekspertiza të reja të komunikacionit dhe makinerik pasi që këto superekspertiza të përgatitura nga Byroja për Ekspertiza janë tërësisht të paqarta dhe kontradiktore dhe në kundërshtim me provat e lëndës si dhe për shkak të përgjigjes së ekspertëve ndaj pyetjeve në këtë procedurë, ato kontradikta dhe paqartësi jo vetëm që nuk u kaluan, por sipas meje edhe më shumë janë thelluar gjatë së cilës ishim dëshmitarë se ekspertët dhanë përgjigje të cilat janë në kundërshtim me rregullat e shkencës dhe profesionit dhe me përmbajtjen e provave të lëndës dhe veçanërisht me përmbajtjen e deklaratave të dëshmitarëve okular apo udhëtarëve dhe personave që me automjet kanë lëvizur mbrapa autobusit. Vlerësoj se gjykata duhet ta pranojë këtë propozim pasi që superekspertizat sipas meje janë përgatitur në mënyrë joobjektive dhe tendencioze me qëllim që të mënjanohet përgjegjësia për të akuzuarit e parë dhe të ngarkohet i akuzuari i gjashtë (shoferi)”, tha Micevski.

Prokuroria, por edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë nuk dhanë mbështetje për propozimet e këtilla.

“Rikonstruimi klasik është i rrezikshëm, por të mos harrojmë se legjislativi ka parashikuar edhe për këto raste. Megjithatë, mendimi im është se nuk ka nevojë për diçka të tillë”, tha prokurori Jakimovski.

Ai shtoi se në lidhje me propozimin për ekspertiza të reja, theksoi se ligji për fat të keq e ka emëruar “superekspertizë”, por megjithatë asnjë provë nuk mund të jetë më e privilegjuar se tjetra. Sipas tij, superekspertizat, kishin dallim prej të tjerave vetëm në pjesën e mendimeve, por nuk kishin kontestim të fakteve.

Edhe avokatët e “Durmos”, kërkuan nga Gjykata që të refuzohen këto kërkesa, pasi që një gjë nuk është e parashikuar me lig, por edhe kështu procedura kurrë nuk do të mbarojë.

“Neni 394 i Ligjit për Procedurë Penale qartë tregon, gjykata i ka shterur provat, na dha mundësi për ofrimin e provave të reja, ne atë e bëmë dhe kjo e drejte nuk mund të shkojë deri në pafundësi. Edhe nëse bëjmë ekspertizë të re, sërish do të ketë propozime tjera. Vlerësoj se duhet të mbyllet procedura e provave”, tha avokati Delo Kadiev.

Mendimit të tij iu bashkëngjit edhe avokati Lavdrim Seferi, duke cilësuar se “Propozimet e këtilla janë vetëm në drejtim qe ky proces të zgjatet”.

Edhe avokati Sasho Dukovski, akuzoi kolegun e tij Micevski se me këtë po e zvarrit procedurën.

“Rikonstruimin duhet ta propozojë prokurori dhe jo avokatët. Le të dëgjojë opinioni se kush kërkon zvarritje. Çfarë ekspertize të re, asnjëherë të mos mbarojë kjo?”, tha Dukovski.

Pas deklarimit të palëve, gjykata u tërhoq për gjysmë ore për t’u konsultuar dhe miratuar vendim.

Gjykata nuk pranoi asnjërën prej kërkesave të avokatit të shoferit, prokurori paralajmëroi ndryshim të akuzës

Në lidhje me propozimin për rishikimin e CD-vë, gjykatësja Diana Gruevski Ilievska, tha se materialet janë të evidentuara me procesverbal dhe ato janë pjesë përbërëse të procedurës. Për atë që nuk mund të hapen, ato janë prezantuar në gjykatë.

Për propozimin për rikonstruim, gjykatësja tha se përveç që është e rrezikshme për jetën nëse bëhet një rikonstruim i tillë, tanimë edhe ka kaluar periudhë e gjatë kohore ku terreni është ndryshuar dhe të gjitha gjurmët janë fshirë. Për këtë, sipas gjykatës nuk do të fitoheshin rezultatet e dëshiruara për trajektoren e lëvizjes së autobusit.

Për propozimin e tretë që të përgatiten ekspertiza të reja, gjykatësja tha se përveç që Ligji për Procedurë Penale nuk parashikon diçka të tillë, deklaratat e dëshmitarëve do t’i vlerësojë gjykata duke e pasur parasysh se ata nuk janë profesionale, por të njëjtat paraqesin pikëpamje subjektive veçanërisht në rrethana të tilla të paparashikueshme në atë moment.

Gjykatësja, dëshiroi ta përfundojë procedurën e provave, por kësaj radhe prokurori Jakimovski u paraqit për fjalë, me çka paralajmëroi se do të ketë ndryshim jothelbësor të akuzës.

“Kërkoj të më jepet kohë e mjaftueshme që të bëjë analizë të materialeve gjyqësore, por edhe të deklaratave të dhëna në diskutimin kryesor pasi që në disa pjesë, edhe pse jo thelbësisht, por sipas të gjitha gjasave akuza do të pësojë ndryshime të caktuara”, tha prokurori.

Propozime tjera nuk pati dhe gjykatësja me këtë e përmbylli procedurën e provave.

Në seancën e radhës më 21 nëntor, prokurori Jakimovski duhet të shpjegojë se në cilat pjesë të akuzës do të ketë ndryshime.

Sipas dinamikës, së deritanishme, palët, shpresojnë që deri në dhjetor të mbarojë procesi i shkallës së parë.

Superekspertizat, të favorshme për “Durmon”, i pakënaqur shoferi

Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, pasi ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy superekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kanë hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.