Bislimoski: Nëse nuk vendoset rrjeti i ri i ngrohjes në urën “Bellasica”, qytetarët do të përballen me çmime të larta

Nëse nuk vendoset rrjeti i ri i ngrohjes në urën Bellasica, qytetarët do të përballen me çmime të larta për ngrohje, tha kreu i KRRE-së, Marko Bislimoski, transmeton Portalb.mk.

Ai është i mendimit se vendimi për çmimin e ri të ngrohjes nuk do të merret derisa autoritetet të vendosin tubat e rinj, në mënyrë që të mund të përdoret energjia nga TE-TO, e cila është më e lirë se ngrohtoret tjera.

“Derisa të kemi një bindje të fortë se do të instalohet, nuk do të ketë asnjë vendim. Ka mjaftuar që korrespondenca e dikujt të shkojë mbi kurrizin e qytetarëve”, thotë Bislimoski.

Ai nuk ka dashur të tregojë nëse ngrohja do të shtrenjtohet me vendimin e ri, por siguron se nuk do të lejojë goditje çmimesh.

“Duhet të dihet se me marrjen e këtij vendimi duhet t’i kthehen Qeverisë 6 milionë euro hua. Do të shohim nëse do të bëhet menjëherë apo do të arrihet marrëveshje për një periudhë prej dy apo tre vitesh”, shton Bislimoski.

Danela Arsovska duhet ta riparojë urën “Bellasica” ku kalon rrjeti kryesor i ngrohjes për Shkupin. Bislimoski, në fund të gushtit tha se, EMV-ja i ka hequr gypat e dëmtuar, por nuk mund të vendosin të reja sepse është në pritje të restaurimit të urës.

Ura Bellasica u dogj më 12 maj të këtij viti dhe që atëherë është e mbyllur për qarkullim dhe për këmbësorë. Qyteti i Shkupit ende nuk ka filluar me rikonstruimin, as kryetarja Arsovska nuk ka thënë se kur do të vihet në përdorim kjo rrugë e rëndësishme.

Ekspertiza për urën, të cilën e ka bërë profesor Mihail Garevski nga Instituti privat për ndërtesa sizmike dhe ndryshime klimatike, ka përfunduar dhe i është dorëzuar Qytetit të Shkupit para dy muajsh. Tregon se ura nuk ka dëmtime serioze, kabllot paranderëse nuk janë të dëmtuara dhe kërkohet riparim i lehtë, i cili do të zgjaste rreth një muaj.

Ndaj rezultateve të tilla të Garevskit kanë reaguar ekspertë vendas dhe të huaj të ndërtimtarisë dhe ndërtimit të urave, të cilët konsiderojnë se ekspertizat nuk janë bërë siç duhet.