Xhaferi: Kanë mbetur edhe 50 ditë deri në zgjedhje, qytetarët kanë kohë të pajisen me dokumente personale

Kanë mbetur edhe 50 ditë deri në zgjedhje, gjatë muajit mars qytetarët mund të paraqesin kërkesë dhe të pajisen me dokumente përkatëse. Kështu tha kryeministri teknik Talat Xhaferi sot në një konferencë për media në Qeveri, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se si do ta ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale ata që nuk kanë dokumente të vlefshme personale dhe a do ta pranojë Qeveria propozimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) që pasaportat të vazhdojnë të jenë të vlefshme për identifikim gjatë ditës së votimit, transmeton Portalb.mk.

“Statistikat që janë tregues për punën e MPB-së thonë se nga 1 shkurti deri më 29 shkurt janë bërë gjithsej 123.983 kërkesa për dokumente udhëtimi, prej të cilave janë lëshuar 95.267 dokumente udhëtimi. Për letërnjoftime janë pranuar 82 235, letërnjoftime të lëshuara 71 410, për patentë shoferi janë 46 280 dhe janë lëshuar 39 552”, thotë kryeministri teknik.

Xhaferi beson se deri në zgjedhje kanë mbetur edhe 50 ditë, andaj me dinamikën e deritanishme të nxjerrjes së dokumenteve, thotë se ata 100 mijë persona që nuk kanë dokument, sipas tij, gjatë muaji mars mund të pajisen të gjithë me dokumentet përkatëse.

“Çdo qytetar mund të iniciojë marrjen e një dokumenti të përshtatshëm. Por qytetari duhet të inicojë kërkesë. Për shembull, për të pasur një dokument duhet të kërkoj një dokument”, tha ai.

Sipas tij, prioritet duhet t’i jepet së pari të drejtës së qytetarit për të nisur një kërkesë në kohë dhe të duhur për të pasur një dokument dhe më pas, siç tha ai, është obligim i tyre që të dalin me një vendim të duhur se si do të veprojnë.

“Nuk preferoj të flas hipotetikisht. Çfarë do të bëj, si do ta bëj. Unë preferoj të dal dhe të them se e kemi zgjidhur këtë problem. Sapo ta bëj, do të informoheni. Është thelbësore që institucioni të kryejë punën e tij. Dhe të mos jesh i drejtë dhe të gjesh justifikime për atë që nuk është bërë. Prandaj ishin të famshme ato vizita, pata të drejtë të shkoja apo jo. Unë kam të drejtë të shkoj në çdo zyrë nën autoritetin e Qeverisë”, tha Xhaferi.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) propozon që të futet një dispozitë kalimtare në Kodin Zgjedhor që do t’u mundësojë qytetarëve nga vendi dhe jashtë vendit që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë me pasaporta me emrin e vjetër kushtetues të cilave nuk u ka skaduar ende vlefshmëria.

Kjo dispozitë, siç tha para dhjetë ditësh kreu i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, do të vlejë vetëm për zgjedhjet e sivjetshme dhe mbi të gjitha do të vlejë për qytetarët të cilëve letërnjoftimi u është i pavlefshëm.

“Ne sugjerojmë që pasaportat me emrin “Republika e Maqedonisë”, nëse kanë afat, të jenë të vlefshme për votim dhe kjo të vendoset në Kodin Zgjedhor si dispozitë kalimtare që do të jetë e vlefshme vetëm për këto zgjedhje. Nuk mendoj se ka zgjidhje më ideale se kjo. Ne tashmë e kemi ndryshuar Ligjin për let[rnjoftimet dhe ato janë të vlefshme, por shumë njerëz nuk kanë letërnjoftime, kështu që nëse pasaportat e tyre janë të vlefshme do të kenë një dokument, sepse këto janë dokumente të vlefshme, të lëshuara nga organet tona kompetente“, tha Dashtevski.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Në listat e nënshkrimeve për kandidatët kanë nënshkruar gjithsej 108 409 qytetarë.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.