RMV, akoma në grevë Qendra Shtetërore e Provimeve

Vazhdon greva në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QSHP) për ndryshim të marrëveshjes kolektive dhe rritjes së pagave të punonjësve, raporton MIA. Rreth 700 kandidatë presin të kalojnë për licencën që e jep QSHP-ja, por për shkak të grevës kjo nuk do të ndodhë këtë herë, informoi sot në konferencën për media udhëheqësi i Sindikatës së QSHP-së dhe i Lidhjes së Sindikatave në Maqedoni.

Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së theksoi se grevat aktuale në QSHP, Prokurorinë Publike dhe institucionet tjera publike janë rezultat i pakënaqësisë nga pagat e ulëta.

“Nënshkrimi i marrëveshjes kolektive duhej të thotë se ka zgjidhje për rritjen e pagave tona. Premtimi i dhënë nga funksionarët se do të jenë në nivel të njëjtë me punonjësit nuk është plotësuar. Me marrëveshjen që e arritëm duhej që funksionarët të tregojnë vullnet të mirë dhe t’i ndryshojnë ligjet dhe veçanërisht shumën e pagës mesatare për të cilën kanë marrë 78 për qind rritje në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por ne kemi parë që zyrtarët nuk mendojnë për punëtorët dhe për këtë ndodhin greva dhe do të përballen me mllefin e punëtorëve. Nuk është  njerëzore që funksionarët të thonë se kanë qenë të nevojshme ndryshimet e shtatë ligjeve që të kthehen pagat në nivel nga marsi i këtij viti, pastaj në vitin 2025 të ketë zgjidhje sistematike për kënaqësinë e të gjithëve. Ne u thamë zyrtarëve se do të ballafaqohen me problem dhe pakënaqësi nga qytetarët, siç janë grevat në QSHP, në prokurori, në organet e drejtësisë dhe në institucionet tjera publike”, tha Trendafilov.

14 dhjetor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) apeloi që të vazhdohet dialogu mes Ministrisë së Financave dhe Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) deri në harmonizimin e plotë të pikëpamjeve të të dyja palëve, gjegjësisht gjetjen e një zgjidhjeje që do të plotësonte kërkesat e QSHP-së, ndërsa implikimet fiskale do të jenë në kuadër të mundësive buxhetore në dispozicion.

Ndryshe, punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) vazhdojnë grevën e pezulluar në muajin maj (që të mbahet provimi i maturës shtetërore dhe të mos dëmtohen maturantët). Greva vazhdon, ndërsa punonjësit thonë se edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe kanë negociuar me autoritetet në Ministrinë e Financave, ende nuk ka asnjë perspektivë që të rrisin pagat dhe pikërisht kjo është kërkesa e tyre.

“Këshilltari në QShP-së merr pagë 30.000 denarë, bashkëpunëtori i lartë merr 25.000 denarë. Paga e mësuesit fillestar është 34.300 denarë. Kemi rrogë më të ulët se mësuesit. Kërkojmë që paga jonë të jetë në nivelin e mësuesit-mentorit, gjegjësisht të jetë nëntë mijë denarë më e lartë se ajo aktuale”, thotë Emilia Boshkovska nga QShP.

Herën e fundit greva në QShP zgjati rreth tre javë. Grevistët dhe autoritetet nuk arritën marrëveshje. Më pas grevistët reaguan se është bërë ribalancim për ngritjet prej 80 për qind të zyrtarëve, por për njëzet persona të punësuar në QShP, autoritetet nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Entuziazmi i punonjësve është në zero. Ne donim të tregonim se sa e rëndësishme është matura shtetërore, por nuk është e rëndësishme për shtetin. I kemi lutur, kemi kërkuar takim me Qeverinë, por kemi kuptuar se ne më shumë kujdesemi për fëmijët sesa shteti”, tha Boshkovska.