Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkoi nga Ministria e Financave dhe Qendra Shtetërore e Provimeve zgjidhje rreth grevës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) apeloi që të vazhdohet dialogu mes Ministrisë së Financave dhe Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) deri në harmonizimin e plotë të pikëpamjeve të të dyja palëve, gjegjësisht gjetjen e një zgjidhjeje që do të plotësonte kërkesat e QSHP-së, ndërsa implikimet fiskale do të jenë në kuadër të mundësive buxhetore në dispozicion, raporton MIA.

“Kujtojmë se me nënshkrimin e marrëveshjes së re të përgjithshme kolektive, edhe të punësuarit në këtë institucion, mes tjerash, nga muaji shtator kanë marrë 10 për qind paga më të larta, kështu që është një konfirmim se te Qeveria ekziston vullnet dhe është vazhdimisht e përkushtuar për avancimin e të drejtave të punëtorëve në administratën publike dhe shtetërore”, thonë nga MASH-i.

Ministria e Financave, madje me rastin e grevës së punëtorëve të QSHP-së, në të cilin kërkojnë rritjen e pagave, thotë se Qeveria ka vendosur zgjidhje sistematike që mundëson rritje të vazhdueshme të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.

“Respektivisht, të gjithë të punësuarit në administratë, duke përfshirë edhe të punësuarit e Qendrës Shtetërore të Provimeve, kanë statusin e zyrtarit administrativ dhe ushtrojnë të drejtën e pagës në pajtim me Ligjin për nëpunësit administrativ, me të cilin është vendosur sistemi i rritjes së pagave”, thonë nga Ministria e Financave.

Ndryshe, punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) vazhdojnë grevën e pezulluar në muajin maj (që të mbahet provimi i maturës shtetërore dhe të mos dëmtohen maturantët). Greva vazhdon, ndërsa punonjësit thonë se edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe kanë negociuar me autoritetet në Ministrinë e Financave, ende nuk ka asnjë perspektivë që të rrisin pagat dhe pikërisht kjo është kërkesa e tyre.

“Këshilltari në QShP-së merr pagë 30.000 denarë, bashkëpunëtori i lartë merr 25.000 denarë. Paga e mësuesit fillestar është 34.300 denarë. Kemi rrogë më të ulët se mësuesit. Kërkojmë që paga jonë të jetë në nivelin e mësuesit-mentorit, gjegjësisht të jetë nëntë mijë denarë më e lartë se ajo aktuale”, thotë Emilia Boshkovska nga QShP.

Herën e fundit greva në QShP zgjati rreth tre javë. Grevistët dhe autoritetet nuk arritën marrëveshje. Më pas grevistët reaguan se është bërë ribalancim për ngritjet prej 80 për qind të zyrtarëve, por për njëzet persona të punësuar në QShP, autoritetet nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Entuziazmi i punonjësve është në zero. Ne donim të tregonim se sa e rëndësishme është matura shtetërore, por nuk është e rëndësishme për shtetin. I kemi lutur, kemi kërkuar takim me Qeverinë, por kemi kuptuar se ne më shumë kujdesemi për fëmijët sesa shteti”, tha Boshkovska.