Vazhdon greva e Qendrës për Provime, punëtorët kërkojnë rritje të pagave për 9.000 denarë

Punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) vazhdojnë grevën e pezulluar në muajin maj (që të mbahet provimi i maturës shtetërore dhe të mos dëmtohen maturantët). Greva vazhdon, ndërsa punonjësit thonë se edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe kanë negociuar me autoritetet në Ministrinë e Financave, ende nuk ka asnjë perspektivë që të rrisin pagat dhe pikërisht kjo është kërkesa e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Këshilltari në QShP-së merr pagë 30.000 denarë, bashkëpunëtori i lartë merr 25.000 denarë. Paga e mësuesit fillestar është 34.300 denarë. Kemi rrogë më të ulët se mësuesit. Kërkojmë që paga jonë të jetë në nivelin e mësuesit-mentorit, gjegjësisht të jetë nëntë mijë denarë më e lartë se ajo aktuale”, thotë Emilia Boshkovska nga QShP.

Ajo kujtoi se në raportin e fundit të Bankës Botërore thuhej se QShP është institucion kyç për arsimin fillor.

“Ngarkesa jonë është rritur me 40 për qind, ndërsa numri i të punësuarve është ulur me 50 për qind. Kemi edhe kolegë që kanë dalë në pension. Kemi 25 punëtorë”, shton Boshkovska.

Ndonëse me grevën e disa muajve më parë, punonjësit e QShP-së nuk patën rritje rroge, sërish e shtynë grevën për të përmbushur maturantët dhe për të mos u dëmtuar. Tani vazhdojmë grevën deri në plotësimin e kërkesave tona. Vijmë në punë, ulemi, nuk punojmë. 700 mësues dhe bashkëpunëtorë profesionistë janë në pritje të provimit, që të transformohet marrëdhënia e tyre e punës, por këtu nuk po punohet dhe ai proces është ngecur. Një proces i ndërprerë është edhe përgatitja për provimin e maturës shtetërore. Nuk ka trajnime të avancuara as për drejtorë”, tha Boshkovska.

Herën e fundit greva në QShP zgjati rreth tre javë. Grevistët dhe autoritetet nuk arritën marrëveshje. Më pas grevistët reaguan se është bërë ribalancim për ngritjet prej 80 për qind të zyrtarëve, por për njëzet persona të punësuar në QShP, autoritetet nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Entuziazmi i punonjësve është në zero. Ne donim të tregonim se sa e rëndësishme është matura shtetërore, por nuk është e rëndësishme për shtetin. I kemi lutur, kemi kërkuar takim me Qeverinë, por kemi kuptuar se ne më shumë kujdesemi për fëmijët sesa shteti”, tha Boshkovska.