Rezultatet e skriningut: Mangësi në procesin zgjedhor të RMV-së dhe financimin e partive, vetërregullimi i mediave të merret seriozisht

Bashkimi Evropian ka publikuar raportin për Skriningun e klasterit 1 që është zhvilluar deri më tani me Maqedoninë e Veriut, në të cilin në pjesët e vlersimit të Komisonit Evropian janë numëruar një sërë mos-përputhjesh me standardet evropiane në fushën e zgjedhjeve, mediave gjatë fushatës zgjedhore dhe financimin e partive politike. KE-ja në raport ka vlerësuar se vendi duhet t’i adresojë në kohë dhe në mënyrë transparente rekomandimet e nxjerra nga OSBE/ODIHR në konkluzionet e raundeve të ndryshme të vëzhgimit të zgjedhjeve. Gjithashtu është rekomanduar që të fillojë veprimi për vetërregullimin e mediave dhe transparencë më e madhe gjatë reklamave politike, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhje të lira dhe të ndershme

Në përgjithësi, kuadri ligjor, vlerëson Komisioni Evropian, është i favorshëm për organizimin e zgjedhjeve demokratike. Raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it në përfundim të raundit të fundit të zgjedhjeve lokale konfirmoi se këto ishin nëpërgjithësi konkurruese dhe se liritë themelore respektoheshin gjerësisht.
“Një sërë rekomandimesh të nxjerra nga OSBE/ODIHR në konkluzionet e raundeve të ndryshme të vëzhgimit të zgjedhjeve, si dhe nga Komisioni i Venecias, mbeten për t’u adresuar në kohë, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në raport.

Këto përfshijnë në veçanti aspektet e mëposhtme.

  • Një rishikim gjithëpërfshirës të legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor është i nevojshëm për të adresuar mospërputhjet ekzistuese dhe për të futur përmirësimet e nevojshme për të forcuar më tej përafrimin e sistemit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Një proces i gjerë konsultativ duhet të mbështesë konsolidimin e kësaj reforme.
  • Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve duhet t’i ndahen burimet e nevojshme në kohën e duhur për të kryer mandatin e tij në mënyrë efikase dhe të pavarur.
  • Saktësia e regjistrit të zgjedhësve duhet të vazhdojë të përmirësohet përmes kontrolleve sistematike, rishikimeve dhe përditësimeve të të dhënave.
  • Duhet të vazhdojnë të bëhen përpjekje të fuqishme nga autoritetet për të kundërshtuar çdo formë presioni mbi votuesit dhe punonjësit e sektorit publik dhe privat, duke përfshirë blerjen e votave.
Zgjedhje në Maqedoni. Foto nga Portalb.mk
Zgjedhje në Maqedoni. Foto nga Portalb.mk

Media në fushatën zgjedhore

Vlerësimi i Komisionit siç konfirmohet në raportet e OSBE/ODIHR-it, konteksti është përgjithësisht i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon raportimin kritik të medias. Nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në fushat e mëposhtme.

  • Veprimi për vetërregullimin e medias duhet të rifillojë dhe të prodhojë rezultate praktike në avancimin e standardeve profesionale të gazetarisë.
  • Duhet transparencë më e madhe në lidhje me reklamat politike. Pavarësia, standardet profesionale dhe qëndrueshmëria financiare e transmetuesit publik mbeten për t’u konsoliduar, pavarësisht se ka nisur një proces reformash dhe është miratuar një strategji zhvillimi pesëvjeçare për të strukturuar zbatimin e tij.
  • Është e rëndësishme të trajtohet dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore. Mediat online nuk drejtohen nga një ligj specifik dhe ka pikëpamje të ndryshme për nevojën për rregullim, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet në rritje nga dezinformimi.

Financimi i partive politike dhe fushatës zgjedhore (përfshirë masat kundër korrupsionit)

Kuadri ligjor për financimin e fushatës ka një sërë boshllëqesh, vlerësohet në raport.

“Duhet të zhvillohet rregullimi i shumës së kredive bankare dhe mundësia për të dhuruar pas zgjedhjeve, si dhe financimi nga palët e treta. Legjislacioni nuk i përafron kufijtë e donacioneve me kufijtë e shpenzimeve, duke lënë kështu të hapur mundësinë që për zgjedhjet lokale, në komunat më të vogla, një individ i vetëm të mund të financojë tërësisht një fushatë. Një përcaktim i arsyeshëm i shumës maksimale që mund të kontribuohet nga një donator i vetëm është dëshmuar të jetë i rëndësishëm për të parandaluar korrupsionin ose për të kufizuar blerjen e ndikimit politik”, thuhet në raportin e skriningut.

Për të rritur transparencën, Kodi Zgjedhor, nënvizohet më tej, duhet të kërkojë zbulimin e plotë të të gjitha llojeve të të ardhurave dhe shpenzimeve të fushatës nga garuesit. Raportet e financimit të fushatës duhet të përfshijnë një ndarje të shpenzimeve sipas zonave zgjedhore dhe afati për dorëzimin e raporteve përfundimtare duhet të shkurtohet për të pasqyruar praktikat e mira ndërkombëtare. Duhet të krijohet një mekanizëm për dorëzimin elektronik të raporteve financiare, duke përfshirë zbulimin e të dhënave të të ardhurave.

“Agjencitë përgjegjëse për mbikëqyrjen e financave të fushatës duhet të kryejnë shqyrtim efektiv të të ardhurave dhe shpenzimeve të fushatës gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe duhet t’i marrin në konsideratë të duhur dhe në kohë të gjitha raportet dhe ankesat në lidhje me parregullsitë e supozuara. Mangësitë në kuadrin ligjor për financimin e fushatës duhet të adresohen, për të forcuar masat për t’iu kundërvënë çdo rreziku të ndikimit të padrejtë apo korrupsionit në nivel të zgjedhjeve lokale”, thuhet në raport.

VMRO - DPMNE, foto nga Vanço Xhambaski
VMRO – DPMNE, foto nga Vanço Xhambaski

KSHPK-ja, vlerëson raporti, ka vazhduar të përmbushë rolin e saj në mënyrë proaktive dhe ka rritur kapacitetin e saj për të verifikuar deklaratat e interesit dhe pasurisë. Megjithatë, autoritetet duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të adresuar plotësisht konkluzionet e raporteve të KSHPK-së.

“Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit duhet të zbatohet plotësisht dhe KSHPK-ja duhet të forcohet, të mbështetet dhe të ketë burime adekuate”, theksohet në raport.

Gjithashtu nënvizohet se duhet të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar efikasitetin e sistemit demokratik, duke përfshirë transparencën në financimin e partive politike. Në këtë drejtim, rekomandimet e pazgjidhura të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) për “Transparencën e financimit të Partive”, duhet të përkthehen në masa të duhura.

Përmbledhje e gjetjeve – korniza e përgjithshme mbi demokracinë

Kuadri ligjor dhe institucional për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike është gjerësisht i vendosur, por duhet të forcohet më tej. Rekomandimet e pazgjidhura të OSBE/ODIHR si dhe Komisionit të Venecias duhet të adresohen. Në media në fushatat zgjedhore, mjedisi është përgjithësisht i favorshëm. Reklamimi politik kërkon transparencë më të madhe. Ka disa mangësi sa i përket financimit të partive politike. Nevojiten përpjekje për të rritur kapacitetin zbatues, veçanërisht për organet/agjencitë zgjedhore.

Raporti mbi klasteri 1 “Themelet”, është i strukturuar sipas fushave dhe kapitujve përkatës të klasterit. Çdo fushë/kapitull fillon me një përmbledhje të shkurtër të përmbajtjes kryesore të acquis të BE-së, përkarësisht, standardeve evropiane. Çdo fushë tematike brenda një kapitulli më pas përmbledh fillimisht prezantimet e vendit dhe rezultatin e diskutimeve të ekspertëve në takimin e skriningut dypalësh, pasuar nga vlerësimi i Komisionit. Në pjesën e fundit, Komisioni nxjerr nga gjetjet e tij, rekomandime specifike për hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të anëtarësimit në këtë Klaster. Maqedonia e Veriut është deklaruar se e pranon acquisin në klasterin “Themelet” dhe se nuk pret vështirësi të veçanta për zbatimin e acquisit dhe standardet evropiane të këtij klasteru deri në qasjen në BE

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

VMRO-së opozitare, pasi fillimisht i pëlqeu ideja të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në e pa BDI-në, dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, së fundmi, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ndryshoi mendje duke thënë se nuk do të flasë me Qeverinë për asgjë që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare.

Përkundër bllokadës së VMRO-së, partitë në pushtet janë optimiste, madje Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik e dërgoi në Kuvend propozimin për ndryshimet kushtetuese