Misioni vlerësues për Këshillin Gjyqësor të RMV-së: Nga diagnoza do varet edhe terapia

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Misioni vlerësues për funksionimin e Këshillit Gjyqësor këto ditë po ngjall një interes të veçantë në opinion. Si fillim, të shohim se çfarë do të thotë “mision vlerësues”, siç është përkthyer në vendin tonë termi anglez “peer review mission”. Dallimi suptil është se në përkthimin tonë theksi vihet te vlerësimi, dhe jo te vetë procesi, që nënkupton termin origjinal “peer review “. Ky term është huazuar nga rrethi akademik ku nënkupton një shqyrtim, redaktim nga kolegë – ekspertë të fushës, zakonisht të artikujve të botuar në revista shkencore. Në organizatat ndërkombëtare ky është një mekanizëm përmes të cilit gjendje në një fushë të caktuar në një vend/organizatë shqyrtohen nga ekspertë ose kolegë të së njëjtës fushë nga vende të tjera. Qëllimi i këtij është që të kontribuojë në një shqyrtim objektiv të situatës – si në planin e rregullativave ashtu edhe në atë të zbatimit. Zakonisht ka si rezultat një raport dhe rekomandime. Një shembull për këtë është mekanizmi i GRECO-s në Këshillin e Evropës, i cili ka raunde të rregullta vlerësimi, të bazuar në misionet vlerësuese nga kolegë – ekspertë nga vende të tjera. (Të përmendim vetëm kalimthi se në këtë shembull konkret ekspertët maqedonas marrin pjesë në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre nga shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës).

Në BE mekanizmi përdoret ndërmjet shteteve anëtare në fusha të ndryshme me të njëjtin qëllim – për të ndihmuar në avancimin e aplikimit të standardeve dhe cilësisë së punës, duke u bazuar në shkëmbimin e praktikave dhe njohurive më të mira. Një shembull për këtë janë shqyrtimet e rregullta vlerësuese të institucioneve kombëtare statistikore në kuadër të EUROSTAT-it.

Misionet vlerësuese për vendet kandidate zbatohen nëpërmjet instrumentit TAIEX – (instrumenti për asistencë teknike dhe shkëmbim të informacioneve), i krijuar fillimisht për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që u anëtarësuan në BE. Tashmë është “zgjeruar” në vendet fqinje, por edhe me forma të “rezervuara” për t’i mbështetur shtetet anëtare, kur ato përdorin disa fonde nga BE-ja. Qëllimi kryesor është shkëmbimi i njohurive, përvojave, praktikave më të mira nga vendet e BE-së me partnerët e tyre. Natyrisht se kur bëhet fjalë për shkëmbimin e njohurive dhe informacionit midis vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve joanëtare, kjo këta të dytat i vë në një pozitë ndryshe. Siç duket qartë edhe nga reagimet nga publiku në vendin tonë – theksi vihet tek vlerësimi apo gjykimi që pritet nga misioni, e jo në vetë procesin e promovimit përmes dialogut (siç pritet gjithnjë e më të barabartë) ndërmjet kolegëve.

Gjatë viteve të fundit të rrugëtimit drejt BE-së në vendin tonë kanë ardhur dhe përfunduar shumë misione vlerësuese të BE-së në shumë fusha, larg syve të publikut. Përjashtim i vetëm janë misionet e sundimit të së drejtës të vitit 2015 dhe 2017 të udhëhequra nga Reinhard Priebe. Për hir të së vërtetës ata ishin të një profili pak më të lartë, me një “detyrë” të deleguar drejtpërdrejt nga Komisioni Evropian.

Raportet dhe rekomandimet me të cilat zakonisht përfundojnë misionet vlerësuese nuk publikohen dhe mbeten në rrethin e ekspertëve të fushës që ka qenë lëndë e misionit. Ato më të rëndësishmet shkrihen në gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Komisionit Evropian. Një fat të tillë patën edhe misionet e rregullta vlerësuese në fushën e qeverisjes të së drejtës, të cilat zbatohen në vendin tonë tashmë prej njëzet vitesh, përfshirë më pas edhe në nivel rajonal. Me kalimin e kohës ata u specializuan për çështje të caktuara, varësisht nga fokusi. Me qenë se instrumenti TAIEX është elastik, nëpërmjet tij mund të reagohet shpejt dhe për nevoja emergjente, kështu që gjithnjë e më shumë përdoret për “situata emergjente” siç është kriza në këshillin tonë gjyqësor.

Është zhgënjyese që po flasim për një krizë të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë, i cili është i pari në rajon (përfshirë këtu edhe Kroacinë, e cila në ndërkohë u bë anëtare e BE-së) që u modelua sipas standardeve dhe praktikave të BE-së – në vitin 2005. Pra, ai duhet të ketë edhe përvojën më të gjatë të tillë në rajon. Kishte në dispozicion një ndihmesë të vëllimshme të ekspertëve të huaj. U ndryshua ligji, u kërkuan dhe u morën mendime nga Komisioni i Venecias, u përpiluan akte nënligjore dhe procedura… U monitorua nga syri vigjilent i sektorit civil. Si ka mundësi që, krahas gjithë kësaj, Këshilli Gjyqësor të bie në nivelin më të ulët të mundshëm? Mbase është ambicioze, por pritshmëritë nga ky mision janë që të jepet përgjigje për këto çështje. Nga diagnoza do varet edhe terapia. Dhe ato sigurisht që nuk mund të shteren me ndryshimin e ligjeve dhe me akte të reja, sepse kjo është një Déjà vu (tashmë e parë) dhe nuk ka efekt.

Për fat të keq në vendin tonë dominon matrica se BE-ja do të zgjidhë gjithçka për ne, ndaj mbizotërojnë pritshmëri të këtilla edhe nga ky mision vlerësues. Të presësh një gjë të tillë nga një mekanizëm që në thelb është pikërisht e kundërta e kësaj matrice është absurde. Edhe sikur ky mision të japë një diagnozë të saktë dhe precize për Këshillin Gjyqësor, dhe të rekomandojë një terapi – kjo do të duhet të zgjidhet këtu, e gjithashtu edhe të merret rregullisht, nën mbikëqyrjen e një mjeku. E pastaj do duhet të bëhet kujdes për simptoma të reja, kështu që ka gjasa që do t’ju duhet edhe një diagnozë e re, madje edhe një terapi e re…