Rama: Ukraina e meriton të mbështetet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se vendi i tij do ta mbështesë Ukrainën për aq sa të ketë nevojë.Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas një samiti të mbajtur për Ukrainën në Tiranë, shkruan REL.

Në samit është diskutuar për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus, të nisur në shkurt të vitit 2022.

“E kemi bërë shumë të qartë, jam shumë krenar të them se nuk është vetëm Qeveria, Parlamenti dhe institucionet, por i gjithë kombi, gjithë popullata e vendit tonë që është me Ukrainën dhe e mbështet Ukrainën, pa asnjë lëkundje”, tha Rama.

Për Ramën, lufta në Ukrainë nuk është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, “por ndaj gjithçkaje që mendojmë se duhet të jetë e ardhmja jonë”.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për nevojën që ka Ukraina për vendet më të pasura në komunitetin demokratik për t’i dalë ballë pushtimit të Rusisë.

Rama i ka bërë thirrje Perëndimit për dërgim të armëve në Ukrainë, sepse vetëm ashtu mposhtet pala tjetër, si referencë për Rusinë.

“Nuk e ndalim luftën duke e çarmatosur viktimën. Prandaj duhet t’iu them të gjithëve që Ukraina e meriton të mbështetet dhe të ndihmohet në çdo mënyrë, për të rezistuar dhe për t’u garantuar se çdo paqe që rezulton prej kësaj lufte është paqe e drejtë”.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është bllokuar një pako ndihme për Ukrainën në vlerë të 61 miliardë dollarëve, pasi republikanët në Kongres refuzojnë të japin dritën e gjelbër, me arsyetimin se nevojitet ashpërsim i masave për migrimin në SHBA.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë përgjatë konferencës, se duhet bërë gjithçka të mundshme që të mos ketë vonesa në sigurim të armëve.

“Sa më shumë që [presidenti rus, Vladimir] Putin sheh mungesa, ai do të mendojë që do të mund të depërtojë në Evropë dhe Perëndim. Kjo është situatë tejet e rrezikshme”, ka thënë ai.

Presidenti ukrainas ka thënë se nevojitet më shumë vetëbesim në botën demokratike dhe që bashkimi ka shumë rëndësi.

Këshilla e Zelenskyt për Ballkanin Perëndimor

I pyetur për këshillën do t’ua jepte vendeve të Ballkanit Perëndimor, Zelensky ka thënë se shtetet e Ballkanit duhet të bashkohen dhe samiti i 28 shkurtit ka qenë një shembull për këtë.

“Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”, ka thënë ai duke iu referuar këtij rajoni.

“Rusia nuk do të ndalet. Rusia nxjerr përfundime nga gabimet që i ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë edhe më tej, nëse do të mund t’i mbijetojë këtij agresioni kundër nesh, atëherë do të përdorë taktika tjera. Do të përpiqet të ushtrojë ndikim në shtetet ku mund të ketë sukses të menjëhershëm, në shtetet e vogla, në ato baltike, në Moldavi, në shtetet e Ballkanit, kudo ku ka qenë prezent Bashkimi Sovjetik ”, ka thënë mes tjerash Zelensky.

Rama e ka pranuar se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.

Për këtë arsye, ai ka porositur që duhet analizuar atë që po ndodh në Ukrainë, sepse e njëjta mund të përsëritet në mënyra të ndryshme, duke rrezikuar kështu rregullat e rendit botëror.

Sipas Ramës, lufta mund të ndodhë, pavarësisht sa e pamundshme mund të duket dhe që “nuk duhet luajtur me zjarrin”.

“Nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët”.

Ekspertë në fushën e dezinformimit dhe aktiviteteve hibride ruse, e kanë përsëritur disa herë që Ballkani është rajon me interes për Rusinë, kur është fjala për përçarje të shoqërive dhe avancim të interesave ruse.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.