Zelensky u bëri ftesë vendeve të Ballkanit për të bashkëprodhuar municione

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ftoi sot vendet e Ballkanit që së bashku më Kievin të mund të prodhojnë armë dhe municione, shkruan Zëri i Amerikës.

“Ne jemi krenar që kemi mbi 500 kompani në fushën e mbrojtjes që veprojnë në Ukrainë. Po kjo nuk mjafton për të fituar. Ne shohim probleme në ofertën e municioneve, gjë e cila ndikon situatën tonë në fushat e betejës dhe jemi të interesuar për bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe partnerët tanë”, u shpreh presidenti ukrainas në fjalën e tij në hapje të samitit Ukrainë – Evropa juglindore, i cili po mbahet në Tiranë. Ai shtoi me tej se “ekipi ynë i qeverisë, do të prezontojë të gjitha detajet” duke hedhur më pas idenë e organizimit të “një forumi të posaçëm për industrinë e Mbrojtjes, mes Ukrainës dhe Ballkanit, qoftë në Kiev qoftë në ndonjë prej kryeqyteteve tuaja”.

Për këtë çështje ai kishte bërë të ditur më herët se kishte folur dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama gjatë takimit të përbashkët që i parapriu samitit. “Diskutuam ndër të tjera dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve”, shkruajti ai në rrjetin social X.

Me Raman, presidenti Zelensky, firmosi dhe Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, i cili synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Përpara se të hidhnin firmat, presidenti i Ukrainës i dorëzoi sot kryeministrit shqiptar Edi Rama “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpinimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë”.

Më herët, u zhvillua dhe një takim mes ministrave të jashtë të të dy vendeve. “Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për t’i dhënë fund luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, deklaroi pas takimit ministri shqiptar Igli Hasani.