‘Qyteti i Sigurt’ deri tani nuk e njeh gjuhën shqipe, flet vetëm maqedonisht

Tabelat paralajmëruese të vendosura nëpër rrugë të cilat tregojnë se trafiku është nën video-mbikëqyrje janë vetëm në gjuhën maqedonase. BDI ka ngritur alarmin se sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ e përjashton gjuhën shqipe, ndërsa VLEN arsyetohet se sistemi respekton Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, transmeton Portalb.mk.

Deputeti i BDI-së, Ilir HasaniTV21 tha se gjuha shqipe anashkalohet.

“Nuk e kanë ndërmend të merren me implementimin e gjuhës shqipe, në këtë ligj dhe në ligjet tjera. Nuk ka arsyetim tjetër se nesër do të fillojë gjuha shqipe të limitohet edhe në shkolla edhe në institucione shëndetësore, nuk do të guxojmë të flasim gjuhën shqipe edhe në rrugë, unë kaq mund të bëj qe ta vë në pah respektimin e gjuhës shqipe, nuk mund të bëj më shumë. Unë do të jap një votë kundër çdo ligji që nuk flet shqip, “Safe City” nuk flet shqip”, tha Hasani.

Ndërkaq nga VLEN në pushtet thonë se Ligji me të cilin rregullohet ‘Qyteti i Sigurt’ e respekton Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Akuzat se gjuha shqipe po anashkalohet nuk qëndrojnë. Në fazën përgatitore dhe teknike janë përdorur njoftime standarde testuese, por kjo nuk e ndryshon faktin se në zbatimin e plotë të ligjit, të gjitha njoftimet dhe procedurat do të jenë të disponueshme edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me ligjin”, thanë nga VLEN.

Paraprakisht, zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni paralajmëroi se gjobat nga ‘Qyteti i Sigurt’ do vijnë edhe në shqip.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese nismë kundër sistemit ‘Qyteti i Sigurt’. Sipas tyre, zbatimi është diskriminues dhe në kundërshtim me kushtetutën.

Kujtojmë se më 23 janar deputetët e Maqedonisë së Veriut miratuan ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin sistemi “Qyteti i Sigurt” hyn në fuqi më 1 shkurt.

Sipas partive në pushtet, ky sistem synon të rrisë sigurinë në trafik dhe deri në vitin 2030 të zvogëlojë numrin e aksidenteve. Deputetët e BDI-së dhe LSDM ishin kundër këtij ligji, duke thënë se ka shumë mangësi. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, dy lëndë janë formuar për të. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv.

Kamerat “Qytet i Sigurt” janë të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10.