MPB-ja i publikoi gjobat e “Qytetit të Sigurt”, ja për çfarë dhe sa dënoheni (Infografik)

Nëse shoferi i jep automjetit me 57 km/h, atij do i dërgohet një mesazh me një procesverbal elektronik që do të regjistrojë një shkelje të rregullave të komunikacionit dhe do të duhet të paguajë një gjobë, konfirmuan nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për Meta.mk. Edhe pse u paralajmërua se do të kishte toleranca dhe lëshime në zonat ku shpejtësia e lejuar është 50 km/h, gjatë periudhës së testimit që është në vijim e sipër, shoferët po pranojnë email-e me procesverbale ku thuhet se e kanë tejkaluar shpejtësinë e lejuar prej 50 km/h, transmeton Portalb.mk.

“Sa i përket lëshimeve ose tolerancës së kamerave të sistemit “Qyteti i Sigurt”, ato do të jenë identike me ato që tashmë aplikohen në radarët e tjerë të policisë. Kjo do të thotë një tolerancë prej 6 km/h për shpejtësi deri në 100 km/h, 8 km/h për shpejtësi mbi 100 km/h”, thanë nga MPB-ja.

Siç sqarojnë nga atje nëse shpejtësia e lejuar është 50 km/h, ndërsa shoferi i jep automjetit me një shpejtësi prej 57 km/h, në këtë rast do të regjistrohet një shkelje e rregullave të komunikacionit rrugor.

“Por, nëse shoferi i jep automjetit me një shpejtësi prej 56 kilometrash në orë, sistemi nuk do të regjistrojë një shkelje të rregullave të komunikacionit rrugor. Theksojmë se toleranca vlen vetëm për shkeljet e rregullave të komunikacionit rrugor, por nuk do të zbatohet në rastet kur kryhet një vepër penale që ka të bëjë me komunikacionin”, shpjegojnë nga MPB-ja.

Në ndërkohë MPB-ja në uebfaqen e saj i publikoi gjobat me të cilat do të përballen shkelësit e rregullave të komunikacionit rrugor. Kështu, për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar në një zonë të banuar (shpejtësia e lejuar deri në 50 km/h, me përjashtim të shpejtësisë deri në 70 km/h aty ku është shënuar), deri në 10 km/h gjoba është 15 euro. Nga 10 deri në 30 km/h është 50 euro, ndërsa nga 30 deri në 50 km/h gjoba është 300 euro dhe ndalesë për drejtimin e automjetit nga 3 deri në 12 muaj. Jashtë zonave të banuara (autostradë – 130 km/h, rrugë automobilistike – 110 km/h, rrugë të tjera – 90 km/h), për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar deri në 30 km/h shoferi do të duhet të paguajë 20 euro, nga 30 deri në 50 km/h – 50 euro, ndërsa nëse tejkalimi është nga 50 deri në 70 km/h, gjoba është 300 euro dhe ndalesë për drejtimin e automjetit nga 3 deri në 12 muaj. Gjoba për kalim në semafor të kuq është 250 euro dhe ndalesë për drejtimin e automjetit nga 3 deri në 12 muaj.

Sa i përket ndalimit dhe parkimit të paligjshëm do të shqiptohen gjoba sipas vendeve kritike si kalime për këmbësorë, udhëkryqe, ura, zona të gjelbra, vende për persona me aftësi të kufizuara, shtigje biçikletash, trotuare dhe stacione autobusësh.

“Gjobat sillen nga 25 euro deri në 180 euro, varësisht nga lloji dhe rëndësia e shkeljes. Për pjesëmarrje në komunikacion me një automjet të paregjistruar, gjoba është 500 euro për automjetet pa leje qarkullimi ose targa të vlefshme. Nëse leja e trafikut skadon brenda 30 ditëve, gjoba është 100 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nëse gjoba paguhet brenda 8 ditëve ajo do të jetë 50 përqind më e ulët. Ndalimesa për drejtimin e automjetit vendoset brenda gjysmës së afatit të përcaktuar.

Javën e kaluar nga MPB-ja njoftuan se në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve të instaluara për mbikëqyrjen e komunikacionit (kamerave) do të kryhet nga 20 janari (e martë) deri më 31 janar (e shtunë).

“Testimet do të kryhen çdo ditë nga ora 8:00 deri në orën 20:00. Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve automjeteve në vendet ku kryhet testimi nuk do t’u lejohet të kalojnë përderisa procedura është në zhvillim e sipër. U bëjmë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim në mënyrë që të sigurohet zbatimi i qetë dhe i sigurt i aktiviteteve të planifikuara”, njoftuan nga MPB-ja.

Nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar sistemi i kamerave “Qyteti i Sigurt”, i cili i zbulon shkeljet në komunikacion, filloi me fazën e testimit në Shkup, ndërsa qytetarëve menjëherë filluan tu dërgohen njoftime për shkeljet dhe gjobat. Portalb.mk shkroi se këto njoftime kanë krijuar një dilemë të madhe sepse ato kanë përfunduar edhe në numra të gabuar dhe adresa elektronike të gabuara, gjë që ka ngritur shqetësime tek qytetarët në lidhje me të dhënat e tyre personale. Këto njoftime përmbajnë të dhëna personale si: emri, mbiemri, numri amzë, numri i letrës së njoftimit, adresa, numri i telefonit dhe adresa elektronike.

Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, tha se qëllimi i këtij inovacioni është që deri në vitin 2030 të ulet dhe përgjysmohet numri i aksidenteve rrugore.