Edhe Gashi i interesuar për kryetar të grupit punues për Kodin Zgjedhor

Grupi punues për Kodin e ri Zgjedhor pritet më në fund të formohet, pasi Ministria e Drejtësisë ka pranuar nga Kuvendi shkresën me përfaqësuesit e nominuar nga partitë parlamentare dhe deputetët e pavarur. Pas formimit të grupit punues, pritet të thirret mbledhja konstituive, në të cilën do të përcaktohet mënyra e punës, transmeton Portalb.mk.

Është e paqartë se kush do të jetë kryetar i grupit punues, siç njofton Slloboden Peçat, së fundmi ambicie për ta udhëhequr këtë trup pune ka shprehur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me arsyetimin se kështu do të përshpejtohej puna.

Interes ka shfaqur edhe partia në pushtet VMRO-DPMNE, por nuk përjashtohet mundësia që në këtë pozitë të zgjidhet edhe një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë. Me këtë, deputetët, pas më shumë se gjysmë viti, më në fund pritet të fillojnë punën për Kodin e ri Zgjedhor.

Nga fakti nëse partitë do të arrijnë të gjejnë konsensus do të varet edhe epilogu, nëse do të harmonizohen për Kod të ri Zgjedhor, siç sugjerojnë ekspertët juridikë, Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, apo sërish do të bien dakord vetëm për ndryshime në rregullat ekzistuese zgjedhore.

Nga Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë konfirmojnë se lista me përfaqësuesit e propozuar partiakë tashmë ndodhet te ministri dhe se pritet që ministri Igor Filkov të caktojë takimin e parë.

Nga VMRO-DPMNE në grupin punues do të jenë deputetët Antonio Milloshoski dhe Ivanka Vasilevska, nga ZNAM Pavle Arsoski dhe Daniell Stojçevski, ndërsa nga VLEN Saranda Imeri dhe Zekirija Tairi.

Nga opozita, LSDM do të përfaqësohet nga koordinatori Oliver Spasovski dhe Jovana Trençevska, nga BDI do të marrin pjesë ish-deputetja Arta Bilalli Zendeli dhe Blerim Bexheti ndërsa nga Levica Borisllav Krmov dhe Rexhep Ismail. Nga krahu i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Zijadin Sela, përfaqësues do të jenë deputetët Ilire Dauti dhe Elmi Aziri, nga krahu i Arben Taravarit deputetët Riad Shaqiri dhe Halil Snopçe, ndërsa nga Partia e Turqve do të marrë pjesë deputeti Bejxhan Ilias.

Nevoja për një Kod të ri Zgjedhor, i cili duhet të jetë gati deri në qershor, është dakorduar në takimin e liderëve të thirrur së fundmi nga kryeministri Hristijan Mickoski. Kodi Zgjedhor është pjesë edhe e agjendës reformuese. Në takimin e fundit të koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe ministrit të Drejtësisë u konstatua se, nëse deputetët e vlerësojnë të nevojshme, do të ndryshohet më shumë se një e treta e Kodit Zgjedhor. Në atë rast do të duhet të hartohen rregulla të reja zgjedhore; përndryshe, do të ndryshohet ligji ekzistues.

Për momentin është e sigurt se në Kodin e ri Zgjedhor do të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR nga zgjedhjet e vitit 2024. Rregullat e reja zgjedhore do të dakordohen nga deputetët në Kuvend, ndërsa bartëse e procesit do të jetë Ministria e Drejtësisë. Mbetet e paqartë nëse deputetët do të arrijnë konsensus edhe për çështje të tjera të legjislacionit zgjedhor. Derisa të marrin versionin draft të Kodit Zgjedhor, partitë nuk komentojnë se cilat do të jenë kërkesat e tjera që do t’i shtrojnë në tryezë.

Ende mbetet të shihet nëse partitë sërish do të propozojnë ndryshimin e modelit zgjedhor, përkatësisht që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi e vetme zgjedhore në vend të modelit aktual me gjashtë njësi zgjedhore me sistem proporcional dhe lista të hapura; nëse do të ketë ndryshime lidhur me financimin e partive politike, reklamimin e tyre, pragun për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur, cenzusin për zgjedhjen e presidentit të shtetit dhe të kryetarëve të komunave, e kështu me radhë.

Kodi Zgjedhor është një nga ligjet që deri më tani ka pësuar më së shumti ndryshime, rreth 40 herë.

Në mandatin e qeverisë së kaluar, Ministria e Drejtësisë përgatiti Kod të ri Zgjedhor, por ai kurrë nuk u dërgua as në Qeveri e as në Kuvend, pasi për të nuk u arrit konsensus politik.