Qyteti i Shkupit s’ua siguron linjat, studentët e UNT-së ecin në këmbë drejt universitetit
Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup vazhdojnë të kenë problem me mungesën e linjave të transportit publik drejt universitetit. Pavarësisht thirrjeve të tyre, institucionet nuk kanë marrë masa. Studentët përsëri apelojnë deri te institucionet që të gjejnë zgjidhje, megjithatë institucionet hedhin përgjegjësinë te njëra tjetra dhe heshtin, shkruan Portalb.mk.
Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup ende kanë probleme me transportin publik. Ata thonë se për shkak të mungesave së linjave direkte nga konvikti shtetëror “Pellagonia” deri në universitet detyrohen të ecin në këmbë, dhe t’i ndërrojnë tre linja të autobusit deri sa të arrijnë në universitet.
Kryetar i Parlamentit Studentor të UNT-së, Omer Hebib për Portalb.mk tha se ndihet i zhgënjyer nga mosveprimi i autoriteteve të Qytetit të Shkupit ndaj kërkesave të studentëve për transport publik. Ai apelon që udhëheqësia e qytetit ta marrë kërkesën e tyre në konsideratë dhe të sigurojë linjat e nevojshme të transportit.
“Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga studentët për sigurimin e lidhjeve të reja që do të lehtësonin lëvizjen drejt dhe nga Kampusi Universitar, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga autoritetet e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP)”, tha Hebibi.
Ai, theksoi se studentet apelojnë deri te udhëheqja e re e Qytetit të Shkupit që kërkesa e tyre të merret në konsideratë, dhe të sigurohen linjat e transportit publik që lidhin kampusin universitar me pjesët kryesore të qytetit.
Nga Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) theksuan se janë të informuar për kërkesën, por përgjegjësia për sigurimin e transportit publik për studentët nga Konvikti Shtetëror i Studentëve “Pellagonia” deri te Universiteti “Nënë Tereza” i takon Qytetit të Shkupit.
“Këtë kërkesë drejtojeni te sektori i transportit në Qytetin e Shkupit, i cili është përgjegjës për hartimin dhe ndryshimin e orarit në Ndërmarrjen e Transportit Publik Shkup”,thanë nga NTP.
Nga Qyteti i Shkupit dhe Universiteti Nënë Tereza nuk përgjigjen për këtë çështje.
Më 30 maj, nga Qyteti i Shkupit pjesë e së cilës është Ndërmarrja e Transportit Publik thanë se propozim-vendimet për rishikimin dhe ndryshimet e orarit të linjave, nuk janë miratuar për disa seanca me radhë.
Kujtojmë se, në muajin nëntor 2024, nga rektorati i Universitetit “Nënë Tereza” për Portalb.mk theksuan se me transferimin e tyre në kampusin e ri kanë tentuar ta zgjidhin edhe problemin me transportin e studentëve, por institucionet përgjegjëse nuk i kanë dëgjuar.
“Për një linjë të re autobusi (transporti) për të lehtësuar lëvizjen më të mirë dhe më adekuate. Kërkesa kemi bërë deri te Ndërmarrja e Qarkullimit Publik dhe Qyteti i Shkupit, po deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, thanë nga rektorati i UNT-së me 11 nëntor 2024.
- LEXO: Revizioni: NTP “Shkup” nuk është në gjendje të ofrojë shërbime cilësore, parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e ndërmarrjes
- LEXO: Maqedonia e Veriut është ndër vendet me transportin publik më të keq në Evropë
- LEXO: Do të ketë transport publik falas për studentët, Qeveria e RMV-së vendosi për transferimin e 120 milionë denarëve në NTP