Shkup, studentët e UNT-së në siklet për shkak të inateve politike të autoriteteve (VIDEO)
Për më shumë se 90 studentë që banojnë në konviktin “Pellagonia” në Shkup nuk ka linjë direkte të autobusit për në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”. Ata detyrohen të përdorin linja të cilat janë të parregullta dhe që ua stërzgjasin udhëtimin. Madje, donjëherë nuk ka asnjë autobus dhe ata detyrohen të shkojnë në këmbë apo të paguajnë taksi të shtrenjtë. Studentët kërkojnë nga përgjegjësit tua heqin këtë siklet udhëtimi pasi që shkakton stres, vonesa dhe nervozizëm. Apelit të tyre u bashkëngjitet edhe Forumi për Ndryshime në Arsim. Edhe pse i njoftuar me problemin, universiteti “Nënë Tereza” i ka “duart e lidhura” përderisa inatet politike në Këshillin e Qytetit të Shkupit nuk vendosin në të mirën e studentëve. Ministria e Arsimit arsyetohet, shkruan Portalb.mk.
Vonohen në ligjërata
Studentët e universitetit “Nënë Tereza” për Portalb.mk shprehën shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e transportit deri në kampusin universitar.
Ismail Musliju, student i vitit të parë thekson se nga mungesa e linjave direkte nga konvikti “Pellagonia” deri te universiteti “Nënë Tereza”, detyrohen të ecin në këmbë apo të marrin autobusin numër 9 i cili i çon deri në rrugën “Xhon Kenedi” dhe prej aty përsëri të ecim në këmbë.
“Siç shihet autobusi numër 9 nuk vjen rregullisht, dhe rreth një orë duhet të presim autobusin, dhe përsëri jemi të detyruar të ecim në këmbë”, tha Musliju.
Studenti Florin Qerimi i cili gjithashtu banon në konviktin “Pellagonia” tha se nga mos-ardhja e autobusëve në kohë shpesh është vonuar në ligjërata, ndërsa edhe kur vijnë autobusët, ai nga stacioni i dytë duhet të ecë në këmbë dhe humb përsëri shumë kohë.
“Ky problem është prej vitesh. Lusim institucionet përkatëse që të marrin këtë çështje më në detaje për zgjidhjen e këtij problemi, dhe të lëshojnë më shumë autobusë për studentët, sidomos në këtë linjë”, tha Qerimi.
Studenti Besim Nuhiu thekson se nga mungesa e linjave, prej te “Bit Pazari” deri në universitet duhet të ecin 3 kilometra në këmbë.
“Një ndër problemet më të mëdha për neve studentët është udhëtimi prej në “Bit Pazar” deri në universitetin “Nënë Tereza” ku linja direkte për atje janë vetëm dy, por njëra prej tyre është anuluar komplet autobusi me numër 20 i cili nuk udhëton fare, ndërsa autobusi me numër 17 udhëton shumë rrallë, dhe për këtë arsye detyrohemi që të ecim në këmbë e cila është një gjatësi prej tre kilometër, dhe na merr shumë kohë rreth 40 minuta është humbje kohe. Andaj kërkojmë një linjë direkte prej te “Pellagonia” deri në universitetin “Nënë Tereza”, tha Nuhiu.
Urgjentisht kërkojnë të ketë linjë direkte nga konvikti në universitet
Studentja Anesa Bakiu kërkon që institucionet të lëshojnë linjë direkte nga konvikti deri te universiteti.
“Jemi të detyruar të ecim prej në Bit Pazar deri në fakulteti çdo ditë në këmbë, shkaku i mungesave të linjave të autobusëve, autobusi numër 17 i cili është i vetmi autobusë që kalon këndej edhe ai mungon. Ne kërkojmë prej institucioneve që të lëshojnë linjë direkte prej te konvikti “Pellagonia” deri në universitet, sepse edhe profesorët tonë janë të revoltuar për shkak të vonesave të përditshme nëpër ligjërata”, tha Bakiu.
Ndërkaq studentja Rrezarta Iseni thekson se nuk kanë llogari të marrin taksi çdo ditë.
“Detyrohemi që të marrim taksi për të ardhur në fakultet kjo gjë e cila neve si student na kushton shumë, dhe nuk kemi llogari. Ne dëshirojmë që të kemi një linjë prej te konvikti “Pellagonia” deri në fakultetin tonë gjë e cila na e lehtëson ardhjen në fakultet”, tha Iseni.
FNA: Konviktet janë për t’ua lehtësuar jetën studentëve, jo vështirësuar
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) duke kritikuar institucionet përkatëse theksojnë se ideja e konvikteve studentore është që t’ua lehtësuar atyre rrugën për në fakultet, dhe jo të ua vështirësojë.
“Përpos barrës financiare, që studentët paguajnë si për konviktin, si për transportin, këtu vjen në shprehje edhe stresi ose ajo barra psikologjike që ata duhet ta përjetojnë çdo mëngjes. Kërkojmë që të ndërmerren masa urgjentisht. Imagjino, një studenti i duhet t’i ndërrojë disa autobusë për të arritur në fakultet, më e logjikshme do ishte të mos banonte fare në konvikt, por të qëndronte në shtëpinë e tij në Kumanovë” thanë nga FNA.
UNT-ja e njoftuar për problemin, e pafuqishme për ta zgjidhur
Për problemin me transportin publik që kanë studentët e universitetit “Nënë Tereza” janë të njoftuar edhe profesorët.
Portalb.mk bisedoi me disa prej tyre, ata konfirmojnë problemin dhe shqetësimin e studentëve, por nuk duan të flasin më gjerësisht.
Nga Rektorati i universitetit thonë se me transferimin e tyre në kampusin e ri kanë tentuar ta zgjidhin edhe problemin me transportin e studentëve, por institucionet përgjegjëse nuk i kanë dëgjuar.
“Për një linjë të re autobusi (transporti) për të lehtësuar lëvizjen më të mirë dhe më adekuate. Kërkesa kemi bërë deri te Ndërmarrja e Qarkullimit Publik dhe Qyteti i Shkupit, po deri më tani nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, thane nga rektorati i UNT-së.
Ata shtojnë se presionet ndaj institucioneve përkatëse do vazhdojnë deri në përfundimin pozitiv të kësaj çështje.
UNT-ja në korrik të vitit të kaluar pati dërguar kërkesë te Ndërmarrja e Qarkullimit Publik si dhe te Qyteti i Shkupit, por pa përgjigje pozitive.
Portalb.mk siguroi edhe kërkesat që UNT-ja ka bërë.
Ndërkaq, nga NQP-ja kësaj kërkese iu përgjigjën duke hedhur përgjegjësinë te Qyteti i Shkupit.
Pasojat e kaosit në Qytetin e Shkupit në kokë edhe të studentëve
Qyteti i Shkupit pjesë e së cilës është Ndërmarrja e Transportit Publik nuk ka vullnet për ta zgjidhur këtë problem. Inatet politike në Këshill për ata janë më të rëndësishme se hallet e studentëve.
“Tashmë tre vite pushtetin dhe shumicën e ka koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Edhe për autobusët e rinj ekologjikë, të vetmit që mund të marrin vendim janë këshilltarët e Mickoskit, të cilët tashmë 23 herë nuk kanë votuar për këtë çështje, edhe pse të gjithëve u është e qartë se është e pa pranueshme për qytetarët e Shkupit të presin autobusin një orë në temperatura ekstreme dhe është e papranueshme që studentët të mos kenë transport”, thanë nga Qyteti i Shkupit.
Lidhur me këtë problem nga Ndërmarrja e Transportit Publik nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Ministria e Arsimit arsyetohet
“Ata të cilët për tre vjet nuk kanë parashikuar fonde për në buxhetet vjetore për këtë qëllim, dhe nuk kanë pasur as vendim të Qeverisë për t’i transferuar para Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjes për Transport Publik (NQP) për transport falas të studentëve. Udhëheqja e re e Ministrisë së Arsimit trashëgoi një deficit buxhetor prej 5 miliardë denarë”, thanë nga MASH.
MASH theksoi se nga viti i ardhshëm buxheti për arsimin do të rritet ndjeshëm, çka do të thotë se do të ketë më shumë mjete për përmirësimin e standardeve të studentëve.
Ndryshe, në tetor 2024 Enti Shtetëror për Revizion pas auditimit të pasqyrave financiare të Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkup” – Shkup për vitin e kaluar, ka vënë në dukje se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) prej dy vitesh nuk ka paguar për transportin falas të studentëve. Për çdo kilometër të kaluar në autobusët e NTP Shkup bëhen shpenzime prej dy denarë, ndërsa të hyra nga një denar. Subvencioni nga Qyteti i Shkupit në shumë prej mbi 673.000 denarë nuk i mjafton ndërmarrjes për të arritur qëllimet strategjike për sistem të qëndrueshëm të transportit urban dhe zhvillimin e transportit publik të qytetit në Shkup.