Revizioni: NTP “Shkup” nuk është në gjendje të ofrojë shërbime cilësore, parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e ndërmarrjes

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) prej dy vitesh nuk ka paguar për transportin falas të studentëve. Për çdo kilometër të kaluar në autobusët e NTP Shkup bëhen shpenzime prej dy denarë, ndërsa të hyra nga një denar. Subvencioni nga Qyteti i Shkupit në shumë prej mbi 673.000 denarë nuk i mjafton ndërmarrjes për të arritur qëllimet strategjike për sistem të qëndrueshëm të transportit urban dhe zhvillimin e transportit publik të qytetit në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Këto janë konkluzionet e Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) pas auditimit të pasqyrave financiare të Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkup” – Shkup për vitin e kaluar.

Revizorët kanë konstatuar parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e NTP-së, ndaj shprehin opinion jo të favorshëm për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare për vitin 2023, si dhe për pajtueshmërinë me rregulloret ligjore dhe politikat e përcaktuara.

Enti Shtetëror për Revizion ka konstatuar se Qeveria nuk ka marrë vendime për miratimin e mjeteve nga buxheti i Ministrisë së Arsimit për mbulimin e shpenzimeve të transportit urban falas për studentët e rregullt në universitetet shtetërore për vitet akademike 2022/2023 dhe 2023/ 2024. Prandaj, buxheti i Ministrisë së Arsimit nuk parasheh mjete për këtë qëllim, ndërsa NTP Shkup vazhdon ta përmbushë obligimin ligjor për transport publik falas, por pa kompensim. Mungesa e fondeve nga Ministria e Arsimit, sipas auditorëve, ndikon në vazhdimësinë e shërbimit.

Auditorët konstatuan gjithashtu se për shkak të pagesës së parakohshme, transportuesit operojnë me kapacitet të reduktuar dhe nuk mund të sigurojnë transport në linjë në vëllimin e dakorduar, që do të thotë se nuk plotësojnë kapacitetin e kërkuar prej të paktën 80% gjatë muajit.

“Sa i përket pagesës së kompensimit për transportin e kryer, NTP “Shkup” në vazhdimësi nuk e përmbush obligimin për pagesën e paradhënies/llogaritjes përfundimtare për muajin paraprak, 15 ditë pas pranimit të faturës. Ndërmarrja me 31 dhjetor 2023 ka obligime të papaguara ndaj transportuesve të autorizuar në vlerë të përgjithshme prej 93.254 mijë denarë, gjë që mund të krijojë vështirësi shtesë në punën e mëtutjeshme të personave juridikë që merren me transport publik”, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu, në vitin 2021, NTP Shkup ka lidhur kontratë dhe aneks për ofrimin e infrastrukturës së komunikimit dhe platformës E-Cloud për sistemin e transportit publik të qytetit, në vlerë prej mbi 142 milionë denarë. Auditimi ka konstatuar dobësi të theksuara në përmbushjen e detyrimeve: sinjali i përcjelljes së autobusit ka humbur, si dhe biletat elektronike dhe aplikacionet për celularë nuk janë përditësuar në kohën e duhur, për çka pasagjerët ankohen për tarifa të shumta të biletave.

“Përkundër mospërmbushjes së obligimeve nga ana e operatorit ekonomik,  NP “SHKUP” nuk ka ndërmarrë masa për aktivizimin e garancisë bankare dhe nuk ka shfrytëzuar mundësinë për vjeljen e gjobave. Si pasojë e kësaj situate kompania ka pësuar humbje financiare dhe ka paguar fatura në vlerë prej 30,854 mijë denarë për shërbimet e kryera jo të plota, pa marrë vlerë adekuate për mjetet e investuara”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror për Revizion.

Janë konstatuar parregullsi në mënyrën e përcaktimit dhe llogaritjes së pagës bruto të punëtorëve për shkak të zbatimit jo korrekt të rregulloreve ligjore dhe marrëveshjes kolektive të cilat rregullojnë mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së pagave dhe shtesave në paga.

Vite me radhë, me 2 denarë për kilometër, NTP Shkup ka realizuar të ardhura prej 1 denar, që ka ndikim të madh në aftësinë paguese dhe likuiditetin e kompanisë.

“Përkundër subvencionimit nga themeluesi – Qyteti i Shkupit në vlerë të përgjithshme prej 673,870 mijë denarë, gjegjësisht 10,957,235 euro, NTP “SHKUP” nuk është në gjendje t’i realizojë qëllimet strategjike për sistem të qëndrueshëm të transportit urban dhe zhvillimin e transportit publik të qytetit në Shkupi”, thuhet në përfundimin e raportit të auditimit.

Auditimi vë në dukje se nevojiten veprime që synojnë eliminimin e vështirësive dhe problematikave që kanë qenë prezente në funksionimin e ndërmarrjes për një periudhë më të gjatë, në drejtim të sigurimit të vazhdimësisë në funksionimin e aktivitetit, përmirësimit të cilësisë dhe efikasitetit në performancën e transportit publik, ngritja e standardeve mjedisore, pra drejt realizimit të misionit të ndërmarrjes– ofrimi i shërbimeve cilësore, në kohë dhe të besueshme.

Ndryshe, sipas një ankete të bërë nga Euronews, Maqedonia është një nga vendet në të cilat transporti publik është në nivelin më të ulët dhe me përqindjen më të ulët të qytetarëve të kënaqur. Sipas statistikave, vetëm 47% e qytetarëve janë të kënaqur me transportin publik të qytetit në vend.

Transporti publik prej se në krye të Qytetit të Shkupit është Danella Arsovska ka probleme të vazhdueshme. Transportuesi në fund të gushtit funksiononin në mënyrë të reduktuar. Por më pas, me 2 shtator, u arrit marrëveshje me NTP “Shkupi”. Pas takimit që kanë pasur pasditen në drejtorinë e NTP “Shkup” në Autokomandë, transportuesit privatë kanë bërë të ditur se janë marrë vesh me kompaninë që t’ua paguajë 80 përqind të borxhit, pra, siç thanë ata, u janë transferuar mjete në vlerë prej 40 milionë denarë.