Një milion e gjysmë euro të hedhura për një sistem riciklimi që nuk funksionon
Dymbëdhjetë kosha të rinj të verdhë me shenja për riciklim. Pas tyre qëndrojnë dhjetëra persona me grushte të ngritura si shenjë gatishmërie për ta filluar luftën kundër mbeturinave në Shkup. Foton në fjalë në rrjetin social Facebook e ndau Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, i cili me ekipin e tij iu bashkua aksionit pompoz për pastrimin e kryeqytetit, që u organizua më 6 nëntor nga kryetari i ri i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Por kjo foto hap një histori më të madhe për pajisjet, për një selektim në vlerë prej një milion e gjysmë euro, me të cilat në vend që të përmirësohej menaxhimi i mbeturinave përfunduan ose në rrugë ku përdoren për t’i grumbulluar mbeturinat e përziera, ose në depot e pushtetit lokal, shkruan Prizma.mk, transmeton Portalb.mk.
Në vitin 2021 kur u rrit çmimi i qeseve plastike në dyqane dhe supermarkete nga 1 në 2 deri në 15 denarë, u njoftua se qëllimi fillestar i atij vendimi ishte dekurajimi i përdorimit të tyre dhe se një pjesë e parave të mbledhura nga shitjet, si taksë ekologjike, do të investohej në projekte për përmirësimin e mjedisit jetësor.
Vitin e kaluar Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor, e kryesuar nga Kaja Shukova, me një milion e gjysmë euro nga këto para bleu kosha dhe kontejnerë për mbeturinat që përmbajnë materiale të riciklueshme, si letra, plastika dhe qelqi.
Siç thotë Shukova, kjo kishte për qëllim inkurajimin e komunave për të vendosur një proces riciklimi.
Para një viti nga kompania “Sinpeks” nga Manastiri u blenë 30.018 kosha dhe 3.016 kontejnerë dhe të njëjtat u shpërndanë në të gjitha komunat, sipas numrit të banorëve.
Për dizajnin e kontejnerëve janë dhënë rekomandime që para se të bliheshin – që të mos jenë të njëjtë me ata për mbeturinat e zakonshme. Por, këshilla nuk është marrë parasysh dhe kontejnerët e plastikës tani pothuajse askund nuk përdoren për qëllimin fillestar. Disa komuna me ato thjesht i kanë zëvendësuar kontejnerët e tyre të vjetër për mbeturina.
Koshat, nga ana tjetër, ishte paraparë të shpërndahen nëpër amvisëri që ato t’i përdornin ato. Por, kjo do të thoshte se komunat do të duhej të prezantonin një sistem funksional për riciklim dhe t’i edukonin qytetarët se si t’i selektojnë mbeturinat. Shumica e kryetarëve të komunave nuk e bëjnë këtë, ndërkohë që japin arsyetime të ndryshme. Ata të komunave të Shkupit, për shembull, arsyetohen duke thënë se nuk mund të organizojnë një sistem të tillë pa e përfshirë ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale”, si përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet.
Kështu, mbeturinat e përziera së bashku me materialet e përdorshme si plastika, letra, alumini dhe të tjera vazhdojnë të grumbullohen në dhjetëra deponi të qyteteve që funksionojnë pa asnjë standard ose në qindra deponi ilegale. Por, atje nuk dihet se kur këto mbeturina do të digjen dhe do ta ndotin ajrin ose kur shiu do ta çojë plastikën në lumenj dhe qytetarët do të mbeten të habitur nga pamjet në qytetet e tyre.
Dizajn jopraktik
Anomalia e parë e projektit “Pajisjet komunale për riciklim ” buron që me dizajnin e kontejnerëve. Për nga pamja ato janë të ngjashme me kontejnerët për mbeturinat e zakonshme, kanë të njëjtin kapak, të njëjtën formë, vetëm se janë me ngjyra të ndryshme – blu dhe të verdhë.
Kapaku hapet lehtë, gjë që mundëson që qytetarëve të hedhin çdo lloj mbeturine në to.
Nga Pakomak, procesuesi më i madh kolektiv për mbeturinat e paketimit në vend, kanë reaguar në lidhje me dizajnin. Ata menjëherë e mirëpritën idenë e investimit të parave nga qeset e plastikës për menaxhimin e mbeturinave, por që para blerjes ata paralajmëruan se duhet të blihen të ashtuquajturat “igllo kontejnerë” – me një hapje të vogël që parandalon futjen e mbeturinave të përziera.
Por, Ministria nuk e ka pranuar këshillën.
Kryetari i komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, shpjegon se pas instalimit të kontejnerëve të rinj të marrë nga shteti, ata menjëherë kanë vënë re se qytetarët po i përdornin ato njësoj si kontejnerët e zakonshëm.
Prandaj, komuna ka bërë kontejnerë të vetat, të projektuara me rrjeta, në të cilët nuk mund të hidhen mbeturina të përziera.
Donacionin nga Ministria e kanë ridestinuar për mbeturina komunale. Kontejnerët janë shpërndarë dhe qytetarët riciklojnë në to, ndërsa mbeturinat mblidhen nga një operator kolektiv (kompani që mbledh mbeturina të selektuara) me të cilin kanë lidhur kontratë.
Por, përderisa disa kryetarë komunash janë përpjekur t’i vënë pajisjet e reja në funksion të reciklimit, shumica e tyre e përdorin dizajnin, por edhe sistemin jofunksional të mbledhjes së mbeturinave si arsyetim se pse në komunat e tyre nuk selektohen mbeturinat, ndërsa fajin ia hedhin shtetit.
Shukova sot përgjegjësinë e kalon tek vetë komunat. Për BIRN ajo thotë se ato duhet të kishin krijuar një sistem, ta kishin kryer edukimin dhe ta kishin monitoruar përdorimin.
Sistemi i ndërlikuar për riciklim si arsyetim
Krijimi i një sistemi të mbledhjes së mbeturinave nuk është aspak i lehtë. Prej kohësh është planifikuar që vendi të ketë pesë deponi rajonale, të cilat do të shërbejnë si qendra për riciklim, ndërsa qytetarët do t’i selektojnë mbeturinat e tyre që në shtëpi.
Meqenëse ky projekt i madh ka ngecur në shumë vende, kryetarëve të komunave u mbetet mundësia për t’i ndarë koshat dhe kontejnerët për selektim dhe të lidhin marrëveshjeje me operator kolektiv i cili do ta marrë atë që është e riciklueshme, ndërsa në deponitë e qytetit të dërgohen vetëm mbeturinat komunale.
Komunat duhet ta organizojnë mbledhjen e mbeturinave në territorin e tyre, por edhe t’i mësojnë qytetarëve se çfarë dhe ku të hedhin. Nëse qelqi, plastika dhe letra hidhen në kosha të veçantë, operatori kolektiv i merr mbeturinat dhe vendos se çfarë të bëjë me to. Në rastin e Maqedonisë këto materiale zakonisht eksportohen sepse në vendin tonë nuk ka kapacitete për përpunim.
Kjo do të thotë që komunat janë të detyruara të kenë kosha të posaçëm për mbledhje, si ato që ua dha shteti, si dhe një kompani që do ta mbledhë materialin për riciklim.
Edhe pse formalisht, në letër, pjesa më e madhe e komunave e kanë respektuar ligjin dhe kanë lidhur marrëveshje me operator kolektiv, në praktikë kjo nuk zbatohet kështu që nga “Pakomak” thonë se janë të rralla komunat nga ku marrin mbeturina të selektuara.
Disa nga kryetarët e komunave për këtë gjendje e fajësojnë shtetin. Kryetari i Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, thotë se sistemi nuk mund të funksionojë në qytetin e tij sepse po vonon ndërtimi i deponisë rajonale në Meçkuevci, Sveti Nikole, e cila duhet të ketë një stacion transferimi në Rankovc. Ai thotë se pa deponi rajonale, ata nuk mund të bëjnë asgjë.
Nuk kanë se ku t’i selektojnë mbeturinat që i mbledhin, kështu që nuk mund t’i vendosin as koshat dhe kontejnerët, tha Mitovski për BIRN.
Kjo është arsyeja se pse ai vendosi që t’i ndajë menjëherë ato për mbledhjen e mbeturinave komunale dhe kështu t’i furnizojë ata me pajisje të reja.
“Për momentin ato janë të papërdorshme për selektimin e mbeturinave. Gjërat nuk ishin vendosur siç duhet dhe gjithçka ishte bërë nga e prapa”, tha Mitevski për BIRN.
Sistemi i lidhur i Shkupit
Në Shkup situatën e ndërlikon edhe më shumë më tej roli i Higjienës Komunale, i cili u lejon kryetarëve të komunave idenë e riciklimit ta përdorin vetëm për qëllime reklamimi.
Meqenëse përgjegjësia për mbeturinat në kryeqytet i takon NP “Higjiena Komunale”, e cila menaxhohet nga Qyteti i Shkupit, edhe pse i morën kontejnerët dhe koshat komunat nuk mund t’i vendosnin ato në mënyrë të pavarur pa marrë miratim nga kjo ndërmarrje. Për shkak të marrëdhënieve politike midis qytetit dhe komunave në mandatin e mëparshëm të vetëqeverisjes lokale çdo bashkëpunim, përfshirë edhe atë për këtë temë, ishte i vështirë.
Kryetari i Komunës Aerodrom, Dejan Mitevski, thotë se janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje me ndërmarrjen publike, por se tek ata nuk kanë gjetur mirëkuptim.
Ndërkohë, në komunën e tij, si edhe komunat e tjera në Shkup, për shembull në komunën Qendër, donacioni nga Ministria e Mjedisit Jetësor qëndronte në magazinë deri në periudhën parazgjedhore kur të gjithë u bashkuan në aksionin për pastrimin e qytetit të bllokuar dhe i nxorën pajisjet e reja komunale.
Në disa vende ende mund të shihen ato kontejnerë dhe në to hidhen të gjitha llojet e mbeturinave në vend të mbeturinave të selektuara.
Një muaj e gjysmë më parë një përparim i vogël është regjistruar në komunën e Gazi Babës. Përmes një projekti me një organizatë joqeveritare ata shpërndanë 53 kosha të dhuruar nga Ministria për amvisëritë në fshatin Stajkovci dhe pas tre mbledhjeve të mbeturinave janë shumë të kënaqur. Operatori kolektiv me të cilin kanë lidhur marrëveshje prej tyre deri më tani ka mbledhur 175 kilogramë plastikë.