Udhëpërshkrimi, sipas Tyler Their-it, historikisht ka shprehur diçka duke u nisur nga adhurimi, ekzotizmi ose nga racizmi. Ka udhëpërshkrues që kanë shkruar me adhurim për një vend ose kulturë. Të tjerë, siç ishin romantikët e lodhur nga rutina, kërkuan vende ekzotike, të paprekura nga të arriturat dhe ankthet e qytetërimit. Por ka edhe udhëpërshkrues që ranë në grackat e paragjykimeve për një vend apo një popull.
Ky udhëpërshkrim për Innsbruck-un, “perlën e alpeve austriake”, është nxitur nga adhurimi për kryeqytetin e provincës austriake të Tirolit, por edhe për kulturën dhe qytetërimin europian.
“Inns-Bruck” d.t.th. “Ura mbi lumin Inn”. Kjo “urë” sot është qendër ekonomike, kulturore, universitare dhe turistike në Austri. Innsbruck-u është qytet i qetë me mbi 130 mijë banorë. Aty kudo mund të lëvizësh i pa trazuar nga zhurma e njerëzve dhe e makinave.
Malet Nordkette janë atraksion turistik në verë dhe dimër. Bukuria e maleve, që e rrethojnë qytetin, s’mund të fiksohet me aparat fotografik ose kamerë. Në malet pranë Innsbruck-ut ka disa qendra sportive. Aty janë organizuar dy Lojëra Olimpike, më 1964 dhe 1976. Në Bergisel gjendet kërcimorja famshme, e projektuar nga arkitektja e njohur Zaha Hadid.
Qyteti i vlerësuar si pikëtakim i mesjetës me epokën moderne, ka monumente historike, ndërtesa mesjetare, pallate perandorake, kështjella, katedrale, muze, biblioteka e librari. Simboli i Innsbruck-ut është Çatia e Artë, e vitit 1500, e dekoruar me relieve kushtuar Perandorit Maksimiliani I. Rruga e famshme, “Maria Tereza”, e ndërtuar para 700 vjetësh, shërben si shëtitore për këmbësorë. Nga kështjella me shumë shkallë shihet panorama e qytetit. Mund të vizitosh kështjellën e famshme Ambras, por edhe varrin bosh të perandorit Maximiliani I (1459–1519), që kontribuoi në zhvillimin kulturor e arkitekturor të qytetit.
HEROI I TIROLIT. Heroi kryesor i Tirolit është Andreas Hofer (1767–1810). Ai e udhëhoqi rebelimin kundër presionit bavarez dhe italian. Kënga e Julius Mosenit, e shkruar në fillim të shekullit XIX, është himni zyrtar i provincës së Tirolit. Kjo këngë atdhetare e përshkruan ekzekutimin e Hoferit në Mantua. Derisa heroin besnik, të lidhur me zinxhirë, e çojnë drejt vdekjes, njerëzit vuajnë kur e shohin në këtë gjendje. Vuan Tiroli nga turpi dhe dhembja. Heroit të qetë dhe të vendosur vdekja i duket hiçgjë. Ky hero krenar, pranon të vdes i pagjunjëzuar, kurse në çastet e fundit të jetës thërret: “Lamtumirë, Tiroli im i bukur!”.
Innsbruck-u e nderon këtë hero të veshur me petk legjende. E nderon të vetëflijuarin për lirinë e Tirolit. Një popull që i respekton heronjtë, meriton të jetojë i lirë.
QYTETI I BIBLIOTEKAVE DHE I LIBRARIVE. Innsbruck-u është qendër kulturore. Ka muze, biblioteka, librari, teatro dhe salla koncertesh. Biblioteka e Universitetit të Innsbruck – ut është moderne, e ndriçuar, e hapur për lexuesit dhe pa pagesë. Përgjatë vitit aty organizohen ngjarje të rëndësishme kulturore, ku mblidhen artistë të njohur europianë dhe botërorë. Në këtë qytet shumë institucione publike i kanë bibliotekat e tyre.
Innsbruck-u është edhe qytet i librarive. Në kafenetë për lexim mund të pushoni dhe të lexoni pa u trazuar nga askush. Madje ka edhe kopshte për lexim.
Innsbruck-u është edhe qendër universitare, ku studiojnë mbi 30 mijë studentë nga e gjithë bota.
QYTETI I PERSONALITETEVE BOTËRORE. Ky qytet përmendet nga autorë si Stefan Zweig apo Rainer Maria Rilke. Këtu prehen eshtrat e poetit Georg Trakl. Këtu jetoi disa vite Leopold Mozart-i babai i kompozitorit të famshëm Wolfgang Amadeus Mozart, por edhe Heinrich Isaac, kompozitor i njohur i Rilindjes. Ky qytet e frymëzoi piktorin e njohur Albrecht Dürer-in, që pikturoi “Pamje nga Innsbruck-u”. Të gjithë këta lanë gjurmë të thella në historinë, kulturën dhe identitetin e qytetit…
Shtëpia botuese Haymon, e botoi më 1995 në gjuhën gjerman romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë të Rexhep Qosjes…
Reportazhin e titulluam “Vendi i kristaleve”. Pse? Sepse Swarovski Crystal Worlds nuk pushon së mahnituri vizitorët. Në këtë vend bizhuterish dhe figurinash prej kristali ndihesh si në botë përrallash. Përthyerjet e kristaleve krijojnë bukuri të mahnitshme…
Nëse do të duhej ta përshkruanim shkurtimisht Innsbruck-un, atëherë mund të themi se ai është qytet i rregullit, disiplinës, qetësisë, kulturës dhe i vetëdijes së lartë qytetare…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre