Adnan Merovci do të sjellë në Tetovë serinë e librave për Ibrahim Rugovën

Më (12 maj) me fillim nga ora 12:00, në Universitetin e Tetovës, Adnan Merovci, shoqëruesi i Presidentit të ndjerë të Republikës së Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, do të promovojë serinë e librave për Ibrahim Rugovën, shkruan Portalb.mk.

Adnan Merovci për Portalb.mk tha se ai ishte bashkëpunëtori i Rugovës që ka qëndruar me të çdo sekond dhe se me këto vepra ka sjellë materiale të panjohura për publikun e gjerë.

“Deri më tani kam botuar 3 libra dhe një komplet me 5 vëllime. Libri i parë (Në Hap me Rugovën) përshkruan ecejaken e Presidentit Rugova nga viti 1989 deri në Konferencën e Rambujesë. Libri i dytë (Kështjella e (Mos) Marrëveshjes) përfshinë në detaje Konferencën e Rambujesë. Duke qenë Sekretar i Delegacionit të Kosovës, kam arritur ti përshkruaj detajet e kësaj Konference. Libri im i tretë (Pengu) përfshinë bombardimet e NATO-s dhe pengëmarrjen e Rugovës nga Sllobodan Millosheviqi. Ky libër përshkruan në imtësi çdo detaj duke përfshi edhe takimin e Rugovës me Millosheviqin kundër vullnetit të ti. Unë isha bashkëpunëtori i vetëm e Rugovës që qëndroja me të çdo sekond. Botimi im i katërt është kompleti prej pesë librave (Të Premtet) me mbi 2000 faqe, me 234 Konferenca Shtypi të Rugovës, 1400 fotografi autentike dhe 1500 pyetje të gazetarëve. Ky komplet përshkruan fjalë për fjalë diskursin e komunikimit me publik të Presidentit Rugova nga viti 1989 deri në çlirimin e Kosovës”, tha Merovci.

Ai shtoi se nuk ka mundur të paraqesë 100 % të materialeve të disponuara, por më mbetet që në ri-botimet t’i shtojë pjesët e munguara si dhe në librat e reja në të cilat është duke punuar aktualisht.

Ky set i librave ka për synim të paraqesë realitetin dhe të vërtetën para çlirimit të Kosovës.

“Duke u bazuar në fakte, librat në fjalë kanë për synim paraqitjen e realitetit dhe të vërtetës së dekadës para çlirimit të Kosovës. Mesazhi i veçantë me këto libra është që publiku aktual si dhe gjeneratat e reja të njohën me rrugëtimin e popullit në këtë periudhë e cila në fund një ëndërr e bënë realitet, pra Kosova u bë shtet i pavarur në saje të këmbënguljes së popullit, udhëheqjes politike të Ibrahim Rugovës dhe kurorëzimit me luftën e fundit të UÇK-së të inspiruar nga krye-komandanti Adem Jashari dhe e përkrahur nga NATO-ja”, tha Merovci.

Merovci gjithashtu potencoi se kritika i ka vlerësuar lartë këto vepra.

“Mendoj se këto janë vepra unike për një periudhë dhe një njeri të pazëvendësueshëm siç ishte Presidenti Ibrahim Rugova. Kritika deri më sot ka vlerësuar lartë këto libra”, përfundoi Merovci.