URTËSIA BOTËRORE (I)

“Hapi sytë sa s’ti kanë hapur!”

-popullore.

Teksa po redaktonim një libër mbi krijimin-ndërtimin e doktrinës nacionale-shtetërore në një epokë krizologjike që disa e cilësojnë si e para-Armagedonit, u përballëm një term interesant, sfidues, të shqipëruar si botëetikë. Dhe për ta verifikuar dhe mësuar më tepër rreth këtij nocioni të ri për ne, bëmë një mini-kërkim  për të arritur të shprehja gjermane Weltklugheit që në anglisht përkthehet si world wisdom dhe nënkupton urtësinë botërore, përvojën botërore, prudencën, mençurinë praktike; aftësinë për të vepruar me zgjuarsi në botë për të arritur synime personale.

Në filozofinë perëndimore, personi i parë që teorizoi këtë koncept është filozofi gjerman Immanuel Kant, në leksionet e tij mbi antropologjinë dhe etikën, gjëgjësisht në librin Antropologji nga këndi pragmatik (1798). Teksti thelbësor apo origjinar për këtë temë mbetet vepra e shekullit të 17-të, Oráculo manual y arte de prudencia (Doracaku i urtësisë dhe arti i prudencës, ), shkruar nga filozofi spanjoll Baltasar Gracián, që ka parë dritën e botimit më 1647. Ky libër u bë jashtëzakonisht i njohur në hapësirën gjermanofone falë përkthimit të 300 aforizmave të tij klasike nga filozofi Arthur Schopenhauer.

Temat kryesore të urtësisë botërore të Gracián-it përfshijnë:

  • Përshtatshmërinë: Përvetësoni artin e përshtatjes së sjelljes dhe pritshmërive tuaja me situatën aktuale.
  • Shikimin e gjërave nga distanca:Shmangni përpirjen e plotë nga pasionet e çastit; ruani një mendje të qartë dhe racionale.
  • Njohjen e njerëzve:Kuptoni motivimet e të tjerëve, qëllimet e fshehta dhe prirjet e tyre psikologjike.
  • Maturinë në sjellje/ndërveprim:Kultivoni takt strategjik, duke ditur se kur duhet të flisni, kur duhet të heshtni dhe si të menaxhoni reputacionin tuaj.

Kanti termin në fjalë e derivon nga Klugheit, maturi, që shpërfaqet në dy forma: Weltklugheit (maturia botërore), e cila është shkathtësia për t’i përdorur të tjerët si mjet për arritjen e qëllimeve vetjake, dhe Privatklugheit (maturia private), që sugjeron mençurinw për të harmonizuar qëllimet botërore me mirëqenien afatgjatë, duke respektuar njëkohësisht lumturinë e të tjerëve. Kanti i ndan prerazi të dyja format e maturisë nga morali klasik (Sittlichkeit). Ndërsa maturia e ndihmon individin të lundrojë nëpër shoqëri dhe të arrijë përfitim apo sukses personal, morali i mirëfilltë kërkon të vepruarit në mënyrë të pakushtëzuar duke u nisur vetëm nga ndjenja e detyrës universale, pa marrë parasysh interesin personal. Sipas Kantit, urtësia botërore përbën një formë të imperativit hipotetik, të orientuar drejt suksesit pragmatik në botë dhe aftësisë për të vepruar me zgjuarsi në marrëdhëniet shoqërore.

Vazhdon…

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.