Heroi i këtij shkrimi konsiderohet mendja më e ndritur e shekullit të tetëmbëdhjetë. Emri i vërtetë i tij është François-Marie Arouet (1694-1778), por u bë i njohur me pseudonimin Volter.
Qe i hajthëm për nga shëndeti, i dobët fizikisht, por me inteligjencë prej gjeniu. Si trevjeçar dinte shumë fabula të Lafontenit, ndërsa si dhjetëvjeçar ra në sy me mendimet e mprehta dhe atipike për moshën.
Nisi të shkruajë herët vargje. Këtë e vërejti një zonjë e pasur e kohës, e cila i la trashëgim një sasi të konsiderueshme parash për të blerë libra. Vargjet ishin me therra të mprehta – satira të fuqishme me dushe të akullta për tregtarët e shtetit dhe keqpërdoruesit e fesë, në duart e të cilëve dergjej fati i një populli të tërë.
Është i njohur udhëtimi i tij për në Holandë, bashkë me një ambasador, ish-mësuesin e tij jezuit, prej nga e përzunë për shkak të skandalit me një grua. Me një rast, u zu rëndë edhe me babanë e tij, aq sa ai kërkoi arrestimin e të birit.
Në vitin 1715, kur vdiq Luj XIV, duke dyshuar se Volteri shkruante pamflete kundër regjimit të vjetër, e burgosën për muaj të tërë. Këtë kohë ai e kaloi duke shkruar.
Volteri është autori i tragjedisë ”Edipi”, të luajtur nga trupat teatrore të kohës. Në sajë të shkrimeve të nduarnduarshme, ai bëri emër të shquar, por bëri edhe shumë armiq të përbetuar, për çka e dëbuan nga Franca.
Një kohë u dha pas parasë dhe jetës mondane. Rendi shumë pas grave, por edhe pas letërsisë, shkencës dhe teatrit…
Veprat e bënë anëtar të Akademisë franceze, por ai nuk u kënaq me kaq dhe nisi ta lakmonte oborrin mbretëror. Kjo lakmi e shtyri ta shkruajë veprën “Oborri i lavdisë”, me të cilën deshi t’i ligavitej dhe t’ia bënte qejfin mbretit. Me këso marifetesh ia doli t’i afrohej oborrit të Fridrihut të madh, por pas një kohe mbreti e përzuri nga Pruska, madje e burgosi.
Pas kësaj iku të jetojë në Zvicër, në afërsi të kufirit me Francën, ku, për shkak të shkrimeve, u bë i papërshtatshëm dhe u ballafaqua me autoritetet e pushtetit. Kjo e shtyri t’i futet biznesit. Hapi një fabrikë çorapësh dhe orësh, me të cilën, përkundër të gjitha dyshimeve, pati sukses të konsiderueshëm.
Janë të njohura dhe me ndikim të jashtëzakonshëm shkrimet e guximshme të Volterit për të drejtat e vegjëlisë dhe ato kundër klerikëve amoralë, të cilët e keqpërdornin fenë dhe e predikonin ashtu siç u leverdiste. Veprat e tij hapën dyert e arsyes njerëzore dhe shkundën nga themelet mendësinë mesjetare të Evropës, kur, në emër të Zotit dhe të atdheut bëheshin krime monstruoze.
Vepra e Volterit pati ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e gjenive të mëvonshëm të kontinentit evropian. Ajo e frymëzoi edhe shkrimtarin e madh shqiptar Faik Konicën, jeta dhe vepra e të cilit kanë shumë pikëtakime me atë të gjeniut francez. Ata qenë të afërt për nga intelekti, formimi në frymën e jezuitëve, ndjenja e superioritetit ndaj të tjerëve, ndjekja nga regjimet anakronike, fryma e lirisë, përçmimi i madhështive të masave popullore, fryma e zjarrtë e polemikave, sfidimi i principeve të vjetra të vlerësimit, toleranca, satirat e fuqishme që shpërfaqin kalbësitë e kohës, puna e pandërprerë, lufta për mendimin e lirë, laicizmi, lufta kundër fanatizmit, aftësia e shkrimit të mendimeve të koklavitura me gjuhë të kapshme e të rëndomtë, konciziteti dhe preciziteti në të shprehur.
Volteri, qe njeri gjenial dhe enciklopedist i pashoq, veprat e të cilit lexohen dhe do të lexohen edhe në shekujt që pasojnë.
Sqarim:
Shkrimi që lexuat është përkthim i lirë nga kroatishtja, shkëputur nga libri “Tragjedia e gjeniut”, të autorit Vladimir Stanojeviç, që flet për figura të njohura historike dhe kulturore, si: Dante, Shekspiri, Bajroni, Shopenhaueri, Niçe, Pushkini, Tolstoi, Balzaku, Volteri, Gëte…, që kanë përjetuar kriza të thella emocionale dhe shqetësime psikike, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në krijimtarinë e tyre.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.