QMK: Sonte intervenime në dy lokacione – zjarri në Oreshan është shuar, në Belakovc është jashtë kontrollit

Ekipet zjarrfikëse prej më shumë komunave në vend sonte kanë qenë në terren, pasi kanë shpërthyer dy zjarre – njëri në Komunën e Zelenikovës të Shkupit, në lagjen Oreshan, ndërsa tjetri në Komunën Stari Nagoriçani, në afërsi të fshatrave Belakovc dhe Rugincë, transmeton Portalb.mk.

Qendra për Menaxhim me Kriza fillimisht informoi për zjarrin në Belakovc, me porosi se ai po zgjerohet me shpejtësi dhe se, që të shuhet nevojitet ndihma ajrore pasi helikopterët nuk mund ta shuajnë në mbrëmje. Prej aty shtuan se, zjarrfikësit do të jenë kujdestarë që të mos lejojnë që të përfshihen shtëpitë.

Në ndërkohë, drejtori i këtij institucioni, Stojançe Angellov informoi se zjarr ka shpërthyer edhe në Oreshan. Fillimisht tha se, shtëpitë në këtë lagje janë në rrezik, por më pas informoi se kanë arritur dy automjete të ekipit zjarrfikës të Qytetit të Shkupit dhe se me shumë gjasë objektet do të mbrohen. Në porosinë e tij të fundit ai tha se, zjarri në Oreshan është shuar dhe nuk ka dëme në lagje.

Ndërkohë, në Belakovc kanë filluar të digjen shtëpitë e parë të fshatit, të cilat siç tha Angellov, kanë qenë të braktisura.

“Zjarri në Belakovc është jashtëzakonisht serioz, është zgjeruar ndjeshëm. Bari i thatë, vegjetacioni i ulët dhe era të cilët kanë bërë që zjarri të zgjerohet shumë shpejtë dhe ka mundësi që të përfshihen disa nga shtëpitë lartë në fshat, të cilat janë të braktisura”, tha Angellov.

Gjatë mbrëmjes, siç njoftoi Angellov, në afërsi të fshatit Belakovc, do të drejtohen zjarrfikës nga Kumanova dhe Kratova, të cilët do të jenë kujdestarë në mënyrë që zjarri të mos përshijë këtë fshat.

Ai shtoi se, nesër në mëngjes, dy helikopterë të policisë dhe një i armatës do të jenë të gatshëm të fluturojnë për intervenim, ndërsa pas tyre nëse ka nevojë do të fluturojnë edhe avionët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

LEXO: Zjarri në afërsi të Ajatovcit është lokalizuar