QMK: Pesë zjarre janë aktive, ndërsa në Trubarevë dhe Drislla janë vënë nën kontroll
Deri në ora 20:30 të ditës së djeshme, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 22 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat 5 janë aktive, 2 zjarre janë nën kontroll, ndërsa 15 janë shuar, informon Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.
Zjarret aktive janë në territorin e Komunës së Gazi Babës në fshatin Viniçe, ku digjen pyje të ulëta. Pastaj në komunën e Gjevgjelisë në malin Kozhuf pranë fshatit Petrovë.
Zjarret tjera aktive janë në komunat Zelenikovë, Jagunovcë dhe Brvenicë, ku digjen më shumë bimësia e ulët, mbeturinat dhe plantacionet e pishave.
Zjarret në fshatin Trubarevë, ku digjeshin mbeturina elektrike, janë vënë nën kontroll. Përveç kësaj, zjarri në deponinë Drislla është vënë nën kontroll të plotë.
Kujtojmë se zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por gjatë natës së incidentit e deri në orët e pasdites, në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë, gjatë të cilave një person është transportuar në spital dhe është bërë transporti në një vendbanim tjetër i një personi të palëvizshëm.
Gjykata Penale ndërkohë më 15 shtator, urdhëroi paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh për katër persona, të cilët u mbajtën në Gjykatën Penale në lidhje me zjarrin, ndërsa Prokuroria më 16 shtator kërkoi vazhdimin e paraburgimit edhe për 48 orë të tjera.
Kohëve të fundit, janë raportuar zjarre edhe në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.