QMK: 3 zjarre janë aktive, 1 është nën kontroll dhe 17 zjarre janë shuar

Nga raportimi i fundit i Qendrës për Menaxhim me Kriza në Maqedoninë e Veriut thuhet se deri në këtë moment janë njoftuar për gjithsej 21 zjarre, nga të cilat, 3 janë aktive 1 është nën kontroll dhe 17 zjarre janë shuar, transmeton Portalb.mk.  

Zjarret janë aktive pranë fshatrave Xhidimirci – Krushje – Ivankovci në komunën e Velesit. Në komunën e Makedonski Brodit dhe në zonën midis fshatrave Creshnevo – Lokvica – Krapa, ndërsa në fshatin Niviçino në komunën e Vasilevës, po digjen pyll i ulët dhe bimësi e ulët. 

Nga QMK informojnë se zjarri pranë fshatit Nikoliç në komunën e Dojranit është nën kontroll. 

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian.

Për të zbutur këtë situatë,  me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).