QKQ: MPB me fitime të mëdha nga pasaportat, MPJ ka paguar shuma të paligjshme për paradhënie për fluturime evakuimi nga Lindja e Mesme

Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) e publikoi sot hulumtimin “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti”, në të cilën analizohen tre procedura tenderimi që ngrenë pyetje serioze në lidhje me transparencën dhe mbrojtjen e fondeve publike, përcjell Portalb.mk.

Hulumtimi bazohet në analizën e të ashtuquajturve “flamuj të kuq” në prokurimet publike, në qasjen në dokumentet e disponueshme publikisht dhe në informacionet e marra nga qytetarët.

Dokumente personale të përgatitura sipas një tenderi 21 vjet të vjetër

Një nga rastet e analizuara ka të bëjë me prokurimin e pasaportave, letrave të njoftimit dhe patentave të shoferit. Sipas QKQ-së në pesë vitet e fundit qytetarët kanë paguar 73 milionë euro për lëshimin e dokumenteve personale, ndërsa shpenzimet e MPB-së për prodhimin e tyre kanë qenë 29 milionë euro. Shpenzime më të mëdha kanë pasur në vitin 2024 kur qytetarët kanë paguar 27 milionë euro, ndërsa MPB-ja 9 milionë euro.

Sipas hulumtimit të QKQ-së, dallim më të madh ka sa i përket parave që qytetarët i kanë paguar për pasaportat dhe shpenzimeve që i ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme. Në 5 vitet e fundit për pasaporta qytetarët kanë paguar deri në 60 milionë euro (2021-2025), ose 82 përqind të shpenzimeve të përgjithshme për dokumente personale.

Hulumtimi gjithashtu thekson se për vite me radhë publiku nuk ka asnjë informacion mbi kontratat për prokurimin e formularëve për pasaporta, letra të njoftimit dhe patenta të shoferit. Tenderin në vitin 2005 e ka fituar kompania gjermane Giesecke+Devrient, me një kontratë me vlerë prej 23,5 milionë euro dhe një periudhë vlefshmërie prej 11 vitesh, e të cilës i ka skaduar afati në vitin 2016. Nga ajo kohë MPB nuk i ka publikuar kushtet sipas të cilave është vazhduar bashkëpunimi. Përveç kësaj, siç thonë nga QKQ, kontratat dhe anekset e tyre janë klasifikuar si konfidenciale, ndërkohë që nuk publikohen as të dhënat mbi numrin e dokumenteve të lëshuara.

“Ministria është e mendimit se publikimi i të dhënave nga kontratat e lidhura do të kishte pasoja mbi punën e tyre, pa treguar se për çfarë pasojash bëhet fjalë. Si ”konfidencial” është i mbrojtur nga publikimi madje edhe numri i dokumenteve personale (pasaporta, letra njoftimi dhe patenta shoferi) që janë lëshuar në vitet e fundit. MPB i zbulon vetëm të dhënat e përgjithshme financiare. Me mbajtjen në fshehtësi të të gjithë kontratës dhe anekseve të saj kufizohet qasja e publikut në aspektet financiare dhe kontraktuale të këtij prokurimi”, thuhet në hulumtimin e QKQ-së.

Pagesa të kontestueshme për fluturime evakuimi

Rasti i dytë ka të bëjë me tenderin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për marrjen me qira të avionëve për evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë nga Lindja e Mesme në mars të këtij viti. Sipas gjetjeve të QKQ-së fluturimet nga Dubai dhe Riadi janë paguar plotësisht paraprakisht, edhe pse Ligji për Prokurime Publike lejon pagesë paraprake deri në 20 përqind të vlerës së kontratës.

Nga QKQ thonë edhe se pagesat paraprake nuk kanë qenë të siguruara me garanci bankare, e as nuk kanë qenë të parashikuara në dokumentacionin e tenderit. Përveç kësaj, pas anulimit të procedurës së parë në të cilën u kontaktuan nëntë kompani, në tenderin e dytë është kërkuar ofertë vetëm nga një kompani, gjë që, sipas QKQ-së, e ka kufizuar konkurrencën.

“Tenderi i parë në të cilin janë kërkuar oferta nga 9 kompani është anuluar. Në procedurën e dytë kërkesa për dorëzimin e ofertave i është dërguar vetëm një kompanie — Avialog Skopje, për të cilën nga MPJ pretendojnë se kanë mësuar se është përfaqësuese e FlyDubai. Si provë të lidhshmërinë mes Avialog dhe FlyDubai nga MPJ dorëzuan një kartë angazhimi në FlyDubai që i përket një personi fizik — themeluesit të Avialog, por e cila nuk dëshmon një lidhshmëri afariste ose ligjore mes dy kompanive. Kompania ka dorëzuar ofertë të nesërmen, më 6 mars në orën 14:00, pas çka në të njëjtën ditë kanë pasuar negociatat, lidhja e kontratës, lëshimi i faturës me datat për 2 fluturimet e para dhe pagesa e faturës nga MPJ”, thuhet në hulumtimin e QKQ-së.

Nga QKQ shtojnë edhe gjithashtu se shpenzimet e evakuimit janë mbuluar plotësisht nga shteti, ndërsa në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian udhëtarët e evakuuar kanë marrë pjesë në mbulimin e shpenzimeve.

Me 4 fluturime, tre prej të cilave nga Dubai për në Shkup dhe një nga Riadi për në Prishtinë, u transportuan 590 udhëtarë, nga të cilët 521 ishin shtetas të Maqedonisë, ndërsa 27 ishin shtetas të huaj për të cilët Ministria e Punëve të Jashtme bashkëpunoi me ambasadat e vendeve fqinje (Shqipëri, Bullgari, Greqi, Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë).

Siç thonë nga QKQ në hulumtim shpenzimet e evakuimit për udhëtar nga Dubai kanë qenë 1.548 euro, ndërsa nga Riadi 1.960 euro, duke përfshirë këtu edhe fjetjen.

Reagimi i MPJ-së

Nga MPJ thonë se pretendimet e Qendrës për Komunikime Qytetare për parregullsi janë të pabaza dhe shtojnë se analiza nuk i ka marrë parasysh kushtet e luftës dhe rreziqet e sigurisë. Nga MPJ thonë se procedura është kryer në përputhje me vendimet qeveritare dhe procedurat ligjore, pasi paraprakisht nuk u pranuan oferta nga nëntë kompanitë e ftuara, ndërsa “Fly Dubai” doli si opsioni i vetëm i disponueshëm. Sa i përket paradhënies, nga MPJ theksojnë se ajo ishte e kushtëzuar nga kriza dhe i hedhin poshtë dyshimet për korrupsion.

Nga atje shtojnë se janë të gatshëm për një kontroll të plotë të procedurës dhe se institucioni ka vepruar në përputhje me ligjet dhe në interes të sigurisë së qytetarëve.

Si përgjigje të reagimit të MPJ-së nga QKQ theksojnë se në hulumtim ka qenë e theksuar qartë ekzistenca e rrethanave të jashtëzakonshme dhe se nuk e kundërshtojnë nevojën për evakuimin e qytetarëve, por përkundrazi, pyetjet që ngre hulumtimi kanë të bëjnë me respektimin e rregullave, madje edhe në gjendje të jashtëzakonshme.

Ata shtojnë se pagesa paraprake nuk është parashikuar në dokumentacionin e tenderit, as nuk është në përputhje me Ligjin për Prokurime Publike.

Pishina në Çair është paraqitur si e përfunduar para se të ishte gati

Rasti i tretë i analizuar ka të bëjë me ndërtimin e pishinës së mbyllur në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Komunën e Çairit me vlerë prej rreth 890 mijë euro. Nga QKQ thonë se komuna ka raportuar realizim të plotë të kontratës në muajin nëntor të vitit 2025, edhe pse objekti zyrtarisht është vënë në funksion gjashtë muaj më vonë.

Sipas hulumtimit të QKQ-së në ditën kur pishina është shënuar si 100 përqind e përfunduar, mbikëqyrja edhe më tej ka regjistruar punime të papërfunduara dhe nevojë për lidhje me rrjetet e furnizimit me energji elektrike dhe ujë për testim përfundimtar. Nga QKQ theksojnë edhe se afati i ndërtimit është zgjatur dy herë, në vend që të aktivizoheshin penalitetet kontraktuale të parashikuara për vonesat.

“Nxitimi për ta paraqitur kontratën si të përfunduar vjen në një kohë kur kompania bartëse e kontratës, Eurovia nga Zhelina, ndërkohë e riemëruar në EAKOM nga Tetova, bashkë me një kompani tjetër, ka aplikuar për një shpallje të re për ndërtimin e një pishine tjetër të mbyllur në Komunën e Çairit, këtë herë në shkollën “7 Marsi”, nxjerr në pah hulumtimi.

Ndryshe, Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti”. Janë analizuar raste konkrete të procedurave tenderuese potencialisht të paligjshme, në të cilat kujdesi për paratë publike nuk ka qenë prioritet. Këto raste janë identifikuar përmes analizës së gjetjeve nga treguesit e rrezikut (“flamujt e kuq”) që zbaton Byroja për Prokurime Publike, përmes hulumtimeve të bazuara në informacione publike, si dhe përmes konsultimeve me qytetarë.

Janë veçuar një pjesë të gjetjeve kryesore nga 3 tenderë të analizuar.