MPB, MPJ dhe Komuna e Çairit kanë zhvilluar tenderë pa konkurrencë, pagesa të dyshimta dhe kontrata të fshehta

Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti”. Janë analizuar raste konkrete të procedurave tenderuese potencialisht të paligjshme, në të cilat kujdesi për paratë publike nuk ka qenë prioritet. Këto raste janë identifikuar përmes analizës së gjetjeve nga treguesit e rrezikut (“flamujt e kuq”) që zbaton Byroja për Prokurime Publike, përmes hulumtimeve të bazuara në informacione publike, si dhe përmes konsultimeve me qytetarët, transmeton Portalb.mk.

Janë veçuar një pjesë të gjetjeve kryesore nga 3 tenderë të analizuar:

Përpunimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve

Sipas gjetjeve, një nga rastet më të ndjeshme ka të bëjë me përpunimin e pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve, ku kontratat dhe të dhënat kryesore mbahen të klasifikuara si “të besueshme”, duke e kufizuar ndjeshëm qasjen e publikut. MPB nuk publikon as kontratat aktuale dhe as detaje për realizimin e tyre, ndërsa mungon qartësi edhe për bazën ligjore të përjashtimit nga procedurat standarde të tenderimit.

Përpunimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve gjatë pesë viteve të fundit i ka kushtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) 29 milionë euro, ndërsa qytetarët kanë paguar 73 milionë euro për marrjen e këtyre dokumenteve, pra 44 milionë euro më shumë.

Pjesa më e madhe e 73 milionë eurove të paguara nga qytetarët është për marrjen e pasaportave – plot 60 milionë euro në pesë vjet.

Dokumentet përpunohen nga një kompani që ka fituar tenderin para 21 vitesh. MPB nuk zbulon se kur dhe në çfarë kushtesh është vazhduar kontrata fillestare deri më sot.

MPB nuk i zbulon as kontratat aktuale për përpunimin e dokumenteve personale, me arsyetimin se ato janë të klasifikuara si “konfidenciale”.

Ministria konsideron se publikimi i të dhënave nga kontratat e lidhura do të kishte pasoja për funksionimin e saj, pa specifikuar se për çfarë pasojash bëhet fjalë.

Si “konfidencial” është mbrojtur nga publikimi edhe numri i dokumenteve personale (pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë) të përgatitura gjatë viteve të fundit. MPB publikon vetëm të dhënat e përgjithshme financiare.

Me këtë nivel fshehtësie të kontratës dhe anekseve të saj, kufizohet qasja e publikut në aspektet financiare dhe kontraktuale të kësaj prokurimi.

“Nuk është e qartë në bazë të cilit ligj është zhvilluar kjo prokurim, e cila është përjashtuar nga procedurat e rregullta konkurruese të prokurimeve publike. Prandaj, publiku nuk mund të verifikojë nëse përjashtimi nga rregullat e zakonshme ka qenë i justifikuar ligjërisht, i nevojshëm dhe proporcional”, thuhet në hulumtim.

Fluturimet e evakuimit nga Dubai dhe Rijadi

Një tjetër rast i analizuar lidhet me fluturimet e evakuimit nga Dubai dhe Rijadi, ku pagesat janë bërë paraprakisht dhe pa garanci bankare, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike. Po ashtu, tenderi fillimisht është anuluar, ndërsa në procedurën pasuese ftesa për ofertë i është dërguar vetëm një kompanie, duke ngritur dyshime për mungesë reale të konkurrencës dhe trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Fluturimet e evakuimit nga Dubai dhe Rijadi në mars 2026 janë paguar paraprakisht (me avans), gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike, i cili parashikon që shuma maksimale e avansit mund të jetë deri në 20% të vlerës së kontratës.

Pagesat me avans nuk janë siguruar me garanci bankare, siç kërkon ligji, dhe nuk kanë qenë të parashikuara paraprakisht në dokumentacionin e tenderit.

Për fluturimet e evakuimit janë zhvilluar një tender i pasuksesshëm dhe një tender i suksesshëm, pas të cilit është lidhur kontrata për marrjen me qira të avionëve.

Tenderët janë zhvilluar në kuadër të Ligjit për Prokurimet Publike, i cili në situata urgjente lejon kontaktimin e drejtpërdrejtë të kompanive. Megjithatë, dokumentet zbulojnë një sërë vendimesh që, të marra së bashku, kanë pamundësuar konkurrencën reale.

Tenderi i parë, në të cilin oferta janë kërkuar nga 9 kompani, është anuluar. Në procedurën e dytë, kërkesa për ofertë është dërguar vetëm te një kompani – Aviolog Shkup, për të cilën Ministria e Punëve të Jashtme pretendon se ka mësuar se është përfaqësuese e FlyDubai.

Si dëshmi për lidhjen mes Aviolog dhe FlyDubai, MPJ ka dorëzuar një kartelë angazhimi në FlyDubai që i përket një personi fizik – themeluesit të Aviolog – por e cila nuk dëshmon lidhje juridike apo afariste ndërmjet dy kompanive.

Kompania ka dorëzuar ofertën të nesërmen, më 6 mars në orën 14:00, pas së cilës po atë ditë janë zhvilluar negociatat, është lidhur kontrata, është lëshuar fatura me datat për dy fluturimet e para dhe është kryer pagesa nga MPJ.

Ndërtimi i pishinës së mbyllur në Komunën e Çairit

Rasti i tretë ka të bëjë me ndërtimin e një pishine të mbyllur në Komunën e Çairit, ku kontrata është raportuar si e përfunduar 100%, ndërkohë që raportet e mbikëqyrjes kanë evidentuar punë të papërfunduara dhe nevojë për ndërhyrje shtesë për funksionalizimin e objektit. Afatet e realizimit janë shtyrë disa herë, ndërsa nuk janë aktivizuar penalitetet kontraktuale të parapara.

Edhe pse Komuna e Çairit më 21 nëntor 2025 ka dorëzuar në Sistemin Elektronik të Prokurimeve Publike njoftimin se kontrata për ndërtimin e pishinës së mbyllur në SH.F. “Ismail Qemali” është realizuar 100%, objekti është promovuar zyrtarisht vetëm gjashtë muaj më vonë.

Komuna e ka shpallur pishinën të përfunduar në të njëjtën ditë kur ka pranuar raportin e mbikëqyrjes, i cili listonte punë të papërfunduara dhe kërkonte ende lidhjen me rrjetin elektrik dhe ujësjellësin për të kryer testimin përfundimtar të pishinës.

Ndërtimi i pishinës fillimisht duhej të përfundonte në janar 2025. Në vend që të aktivizonte penalitetin kontraktual të parashikuar në kontratë, Komuna e Çairit e ka zgjatur dy herë afatin e realizimit me kërkesë të vetë kontraktorit.

Nxitimi për ta paraqitur kontratën si të përfunduar ndodh në periudhën kur kompania mbajtëse e kontratës, Eurovia nga Zhelina, e riemërtuar ndërkohë në EAKOM nga Tetova, së bashku me një kompani tjetër, kishte aplikuar në një shpallje të re për ndërtimin e një pishine tjetër të mbyllur në Komunën e Çairit, këtë herë në shkollën “7 Marsi”.

Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike”, me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup.

Për ta lexuar të plotë hulumtimin, mund të qaseni në këtë link.