QKC: Ankesat zbuluan skema korruptive në prokurimin publik në shëndetësinë e RMV-së
Në sektorin e shëndetësisë, procedurat e prokurimeve publike vazhdojnë të shoqërohen me rreziqe serioze për korrupsion, zbuloi hulumtim i Qendrës për Komunikime Civile i cili analizon ankesat e paraqitura në Komisionin Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike gjatë periudhës 2020–2024. Hulumtimi zbulon se në vitet e analizuara janë lidhur mbi 39 mijë kontrata për prokurime publike në shëndetësi, ndërsa janë paraqitur vetëm 778 ankesa. Praktikisht, një ankesë paraqitet për çdo 1.6 milionë euro të shpenzuara, transmeton Portalb.mk.
Nga analiza rezulton se në mbi 70% të rasteve, kompanitë janë ankuar për vendimet për zgjedhjen e ofertës më të favorshme. Kjo sipas hulumtimit tregon se faza e vlerësimit të ofertave konsiderohet si pika më kritike, ku ekziston rreziku më i madh për favorizim të operatorëve të caktuar ekonomikë.
“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekzistojnë 110 institucione shëndetësore, ndërsa në pesë vitet e fundit janë paraqitur ankesa për procedurat e prokurimeve publike kundër 99 prej tyre. Ndër institucionet me numrin më të madh të ankesave veçohet Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” në Shkup me 58 ankesa, i ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë me 40 ankesa dhe Institucioni publik nga fusha e shëndetësisë për nevojat e institucioneve shëndetësore publike – klinikat universitare, institutet dhe Qendra Urgjente në Shkup me 31 ankesa”, thuhet në raport.
Hulumtimi tregon edhe një tjetër problem serioz, në 42% të rasteve, Komisioni ka pranuar ankesat, duke konstatuar parregullsi në procedura.
Në disa raste, hulumtimi dëshmon se institucionet shëndetësore nuk kanë zbatuar vendimet e Komisionit, duke përsëritur të njëjtat vendime edhe pas anulimit, gjë që ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe përgjegjshmërie.
“Nga vendimet e analizuara mund të konkludohet se 42.3% e ankesave janë pranuar, që do të thotë se në pothuajse gjysmën e rasteve Komisioni ka konstatuar parregullsi në procedurat e prokurimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Përqindja e lartë e ankesave të pranuara tregon për dobësi sistemike në përgatitjen dhe zbatimin e procedurave, siç është mungesa e ekspertizës së mjaftueshme”, thuhet në raport.
Një tjetër dobësi e zbuluar në hulumtim është fakti se në rreth 40% të tenderëve kanë vetëm një ofertues. Ndërkaq, konkluzioni i hulumtimit është se sistemi i prokurimeve publike në shëndetësi ka nevojë urgjente për reforma, forcim të kontrollit dhe rritje të transparencës, në mënyrë që të parandalohet korrupsioni dhe të mbrohet interesi publik.
Kujtojmë se hulumtimi paraprak i kësaj qendre mbi mbikëqyrjen publike të prokurimit publik, evidentoi poashtu parregullsi në tre tenderë publikë me vlerë miliona euro. Në tenderin për kuzhinat popullore në Shkup (1.5 milion euro), ushqimi shpërndahet në rrugë dhe jo sipas kontratës, ndërsa çmimet e vakteve janë më të larta se vlera reale. Rindërtimi i ish-ndërtesës së Bankës Komerciale është zvarritur për vite dhe kostoja është rritur me 32% përmes 51 aneks-marrëveshjeve, mbi kufirin ligjor. Ndërkohë, për 13 ekspertë në korridoret 8 dhe 10-d do të paguhen 3.8 milion euro, me tarifa mujore deri në 23 mijë euro dhe pa transparencë në përllogaritje.