Prioritetet e Parisit për armëpushim Iran – ShBA: Të përfshihet edhe Libani, sulmet izraelite janë të patolerueshme

Gjatë Këshillit të Mbrojtjes të mbajtur më 8 prill 2026, Presidenti i Francës, Emanuel Makron rikonfirmoi se aksioni i Francës në Lindjen e Mesme bazohet në tri prioritete kryesore: mbrojtjen e shtetasve të saj, mbështetjen e partnerëve dhe punën intensive drejt de-eskalimit të situatës, shkruan Portalb.mk.

Në kuadër të kësaj, shteti francez ka bërë thirrje për negocimin e një fundi të shpejtë dhe të qëndrueshëm të luftës përmes mjeteve diplomatike, duke kërkuar zbatimin e një armëpushimi që duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe Libanin. Parisi zyrtar konsideron se siguria afatgjatë në rajon, veçanërisht në Ngushticën strategjike të Hormuzit, mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje të negociuar me Iranin që integron dimensionet bërthamore, balistike dhe ato rajonale, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin aktiv të armëpushimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Ky angazhim është pasqyruar në terma konkretë përmes një aksioni diplomatik aktiv në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Franca mbështeti projekt-rezolutën e sponsorizuar nga Bahrejni për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. Ndonëse Parisi kontribuoi aktivisht për të siguruar një logjikë rreptësisht mbrojtëse të tekstit, ky i fundit u bllokua përfundimisht nga vetot e Rusisë dhe Kinës. Krahas kësaj, Franca ka bërë të qartë se do të vazhdojë të kundërshtojë vendosjen e taksave të tranzitit në këtë ngushticë.

Lidhur me situatën në Liban, Franca dënon ashpër sulmet e fundit izraelite, të cilat i ka cilësuar si “të patolerueshme”, dhe i bën thirrje Izraelit të pranojë dorën e shtrirë të qeverisë libaneze për armëpushim, çarmatim të Hezbollahut dhe zgjidhje përfundimtare të kontestit dekadash. Gjatë vizitës në Bejrut më 19 mars, Ministri njoftoi dyfishimin e ndihmës humanitare për Libanin në 17 milionë euro, ndërsa rikonfirmoi prezencën e 700 trupave franceze brenda UNIFIL-it, duke theksuar se sulmet ndaj kësaj force janë të papranueshme.

Në rrafshin ushtarak dhe operacional, Franca ka mbajtur një qëndrim rreptësisht mbrojtës pa u bërë palë në armiqësi, duke u fokusuar në interceptimin e dronëve dhe sigurimin e hapësirës ajrore të aleatëve. Ky mbështetje përfshin dislokimin e avionëve Rafale, forcimin e mbrojtjes kundërajrore në Emiratet e Bashkuara dhe rritjen e prezencës detare përmes fregatave dhe anijeve mbajtëse të helikopterëve. Franca merr pjesë aktivisht në operacionin evropian ASPIDES në Detin e Kuq dhe po përgatit një sistem shoqërimi në Ngushticën e Hormuzit brenda një kuadri mbrojtës. Megjithatë, angazhimi në Irak kundër Daesh-it ka pasur pasoja të rënda, ku më 13 mars 2026, një sulm me dron i mori jetën një ushtari francez dhe plagosi gjashtë të tjerë.

Një mobilizim i jashtëzakonshëm është shënuar edhe për mbrojtjen e shtetasve francezë, ku Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur një mekanizëm të përforcuar krize që funksionon 24 orë në ditë me mbi 50 agjentë dhe një rrjet diplomatik aktiv në 15 vende. Në total, rreth 400,000 francezë janë prekur në zonën e konfliktit, ndërsa qelizat e krizës kanë procesuar 16,800 thirrje dhe kanë dërguar mbi 100,000 mesazhe përmes email-it dhe WhatsApp-it. Përmes 20 fluturimeve çarter janë riatdhesuar 2,260 persona, ndërsa rreth 39,000 të tjerë janë kthyer përmes fluturimeve komerciale. Franca mbetet në vigjilencë të lartë dhe rikonfirmon rolin e saj si një “fuqi balancuese e besueshme”, e përkushtuar për të fituar sfidën e de-eskalimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme diplomatike për rajonin.