Qeveria nesër do të debatojë për Illovicën, Bekteshi pritet të jep detaje për media

Qeveria nesër në mbledhje pritet të debatojë për koncesionin për minierat Illovica-Shtuka. Pritet që ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi të referojë për të gjitha procedurat juridike të cilat janë ndërmarrë për këto miniera duke filluar nga viti 2012, raporton MIA. Ministri Bekteshi nesër pritet të jep deklaratë për media nga ora 14:00.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi edhe sot përsëriti se do të respektohet vendimi i qytetarëve, gjegjësisht se nëse deklarohen kundër hapjes së minierave në këtë rajon, kjo do të respektohet.

“Nesër kemi mbledhje të Qeverisë në të cilën ministri i Ekonomisë është i obliguar që të referojë për procedurat gjyqësore dhe procedura të tjera juridike që janë ndërmarrë për Illovicën duke filluar nga viti 2012 e deri më sot. Pasi që t’i dëgjojmë të gjitha momentet, do të dihet cili është hapi i ardhshëm. Si Qeveri thamë se nëse qytetarët thonë se nuk duan të kenë minierë, ne do të veprojmë ashtu. Mendoj se aty një herë ka pasur deklarim të qytetarëve vetëm në Bosilovë, jemi të gatshëm që tu ndihmojmë të gjithë qytetarëve nga gjithë ai rajon që të deklarohen në referendum nëse duan ose nuk duan të ketë minierë”, tha Bytyqi pas vizitës në kompaninë “Sivus”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për atë se nëse qytetarët deklarohen kundër, Qeveria është e gatshme t’i paguajë gjoba investitorit, zëvendëskryeministri tha se nuk dihen të gjitha momentet juridike sepse ende nuk dihet si do të jetë saktë rezultati.

Ndryshe, mijëra qytetarë nga mbarë vendi protestuan në Strumicë kundër hapjes së minierës së arit dhe bakrit në malin Ograzhden. Ata përcollën mesazhin se nuk do të lejojnë që fusha pjellore e Strumicës të bëhet viktimë e apetiteve të bizneseve. “Gërmoni sytë tuaj, jo arin e malit”, “Familje e lumtur ose minierë e vdekjes”, “Ta ndalojmë para se të na vrasë” ishin vetëm disa nga mesazhet që mund të dëgjoheshin gjatë protestës.

Protesta është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.