Kovaçevski: Nëse nuk duan qytetarët, nuk do të ketë minierë në Illovicë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot theksoi se qëndrimi i Qeverisë është i qartë se nuk do të ketë minierë nëse atë nuk e duan qytetarët e rajonit ku është dhënë ai koncesion. Ai theksoi se koncesionet për minierën Illovicë janë dhënë në vitin 2012-të dhe 2013-të nga ana e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së. Kryeministri se LSDM edhe sot është kundër hapjes së minierave, transmeton Portalb.mk.

“LSDM që nga dita e parë është kundër atyre minierave dhe LSDM edhe sot është kundër hapjes së minierave që nuk i duan qytetarët në vendet e tyre. Në seancën e radhës të Qeverisë, ministri i Ekonomisë sërish me të gjitha dokumentet nga viti 2012-të, pasi që nuk bëhet fjalë vetëm për vendim gjyqësor, bashkë me shërbimet e tyre zyrtare, do t’i informojë të gjithë ministrat për procedurën e mëtutjeshme. Megjithatë, qëndrimi është i qartë i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së mjedisit jetësor, dhe ai është se nëse atë nuk e duan qytetarët në rajonin ku është dhënë ai koncesion, gjegjësisht dy koncesione, nuk do të ketë minierë. Koncesionet janë dhënë nga VMRO-DPMNE, ndërkaq minierat nuk janë hapur falë qeverisë së LSDM-së e cila udhëheqë procedurë për të mos u hapur miniera”, tha Kovaçevski.

Ndryshe, mijëra qytetarë nga mbarë vendi dje protestuan në Strumicë kundër hapjes së minierës së arit dhe bakrit në malin Ograzhden. Ata përcollën mesazhin se nuk do të lejojnë që fusha pjellore e Strumicës të bëhet viktimë e apetiteve të bizneseve. “Gërmoni sytë tuaj, jo arin e malit”, “Familje e lumtur ose minierë e vdekjes”, “Ta ndalojmë para se të na vrasë” ishin vetëm disa nga mesazhet që mund të dëgjoheshin gjatë protestës.

protesta është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.