Bekteshi personalisht mendon se xeherore nuk duhet të ketë, por ka qenë i detyruar të punojë sipas ligjit, që shteti të mos paditet

Ministria e Ekonomisë kërkesën e kompanisë “Euromax resources” për bashkimin e dy koncesioneve për xeheroren Illovicë-Shtukë e ka dorëzuar deri te Qeveria për vendimmarrje sepse kështu ka qenë e paraparë me ligj, tha në briefing me gazetarët ministri Kreshnik Bekteshi dhe shtoi se nëse është me rëndësi mendimi i tij personal, ai mendon se në zonën e Strumicës nuk duhet të ketë xeherore, raporton Portalb.mk.

Ai pretendon se i gjithë dokumentacioni rreth këtij rasti ka qenë i dorëzuar deri te kolegët e tij ministra një ditë para mbajtjes së seancës së 27 qershorit, kur Qeveria solli vendim për bashkimin e koncesioneve dhe se ky ka qenë një ndër kushtet që kjo pikë të mund të vendoset në rendin e ditës si pikë plotësuese. Që të jetë procedura urgjente, gjegjësisht pika të mos miratohet me procedurë të rregullt, duke kaluar nëpër komisionet qeveritare para se të vijë në shqyrtim, Bekteshi thotë se ashtu ka vlerësuar ministria e tij, për shkak të disa lëndëve të tjera të ngjashme që janë në vijim në vendin tonë.

Bekteshi sot në briefing informoi edhe për renditjen kronologjike të ngjarjeve lidhur me rastin “Xeherorja e arit dhe bakrit Illovicë-Shtukë”. Ai së fundmi, pasi Qeveria solli vendim për bashkim të dy koncesioneve të Euromax Resources, u përmend nga disa ministra se e ka futur me procedurë urgjente dhe pa diskutim, ndërsa sipas arsyetimit të ofruar të gjithë ministrat kanë votuar “për”.

Bekteshi thotë se kjo procedurë është në pajtim me ligjin pasi Gjykata administrative e anuloi aktvendimin e vjetër të vitit 2019 të Ministrisë me të cilin Euromaksit i merret koncesioni i parë.

“Derisa ekzistonte vetëm një koncesion nuk kishte kuptim që të kërkohet bashkim i koncesioneve. Tani, pasi gjykata ua ktheu koncesionin e parë, përsëri pranuam kërkesë për bashkim. Ne e kemi për obligim të njëjtën ta dorëzojmë deri në Qeveri, ndërsa ministrat të sjellin vendim”, thotë Bekteshi dhe potencoi se qëndrimi i Ministrisë së Ekonomisë është se për shtetin është mirë të sillet një vendim, qoftë pozitiv apo negativ, për shkak se në atë mënyrë respektohet ligji dhe evitohet mundësia që shteti të paditet dhe të gjendet para arbitrazhit.

Koncesionari “Euromax Resources” tani ka katër vite të reja në të cilat do të duhet të sigurojë dokumentacion që të mund të kërkojë leje për eksploatim, por këtë do të duhet ta bëjë sipas kushteve të reja të ndryshuara nëpër ligje. Sipas Ligjit për lëndët e para minerale, koncesionari në vitet në vijim duhet të dorëzojë prova për punë të zgjidhura pronësore-juridike, elaborat gjeodezik, projekt kryesor xehetar, të përpilojë Studim për vlerësim të ndikimit ndaj mjedisit jetësor dhe zgjidhje për studimin, plan për menaxhimin e mbeturinave, garanci financiare, leje për shfrytëzim të ujit dhe disa dokumente të tjera.

Dokumentacioni sigurohet nga disa ministri, ndër të cilat edhe ajo e mjedisit jetësor, punëve të brendshme, transportit dhe lidhjeve, por edhe institucione të tjera që duhet të japin mendimin e tyre, ndërsa Ministria e Ekonomisë, në bazë të tyre në fund mund të japë ose jo leje.

“Institucionet që konsiderojnë se atje nuk duhet të ketë xeherore, mund të japin mendim negativ për kërkesat që janë në kompetencat e tyre dhe ne që ditën e ardhshme do t’ia marrim koncesionin”, thotë Bekteshi dhe thekson se Ministria e Ekonomisë nuk ka mundësi juridike që të ankimojë vendimin e fundit të Gjykatës Administrative, dhe se ai është i formës së prerë.

Pas rasti mori vëmendje të madhe në publik dhe pas protestës që e organizuan shoqatat e qytetarëve të juglindjes që luftojnë për ta mbrojtur fushëgropën, Qeveria lajmëroi se kjo pikë përsëri do të vendoset në rend dite, ndërsa vendimi për bashkimin e koncesioneve do të rishqyrtohet. Ministri Bekteshi do të duhet që të martën e ardhshme t’i prezantojë kronologjikisht ngjarjet që sollën deri te bashkimi. Sot ai këtë e bëri edhe para gazetarëve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, ky rast ka filluar në vitin 2005 me kërkesën e parë për koncesion, e cila në vitin 2009 është zgjeruar me kërkesë edhe për një koncesion në territor shumë më të madh dhe i cili në territor e përfshin edhe koncesionin e parë. Në të gjithë vitet në këto pothuajse dy dekada të kaluara në lëndë janë grumbulluar dhjetëra mendime nga institucione të ndryshme dhe asnjë nuk është negative ose kundër dhënies së të drejtës ndërmarrjes që të kërkojë flori në Ograzhden. Mendime ka edhe nga dy komunat më të interesuara, Bosillova dhe Novo Sella dhe edhe këto janë pozitive.

Ndryshe, mijëra qytetarë nga mbarë vendi protestuan në Strumicë kundër hapjes së minierës së arit dhe bakrit në malin Ograzhden. Ata përcollën mesazhin se nuk do të lejojnë që fusha pjellore e Strumicës të bëhet viktimë e apetiteve të bizneseve. “Gërmoni sytë tuaj, jo arin e malit”, “Familje e lumtur ose minierë e vdekjes”, “Ta ndalojmë para se të na vrasë” ishin vetëm disa nga mesazhet që mund të dëgjoheshin gjatë protestës.

Protesta është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.