Tre ministra thonë se janë mashtruar që të votojnë për shkrirjen e koncesioneve për Illovica-Shtuka

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi e ka mashtruar kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kolegët e tij ministra me arsyetimin se Gjykata Administrative ka marrë vendim për bashkimin e dy koncesioneve për minierën e Illovica Shtuka, prandaj Qeveria dhe të gjithë ministrat votuan pro bashkimit, publikoi sot Laboratori i Gazetarisë Ivestigative (IRL). Në tekstin e publikuar tre ministra pretendojnë se nga ministria përkatëse u janë prezantuar materiale të cilave u kanë besuar dhe për këtë arsye kanë votuar pro vendimit, raporton Portalb.mk.

Për shkak të këtij vendimi sot në Strumicë u mbajt një protestë e organizuar.

Sipas hulumtimit, seancën e ka udhëhequr njeriu i parë i Qeverisë, kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendësin e tij të parë, Artan Grubin. Të pranishëm kanë qenë të gjithë ministrat, ndërsa shkrirja e koncesioneve për nxjerrjen e  lëndëve të para minerale e të “Euromax Resources” nuk ka qenë si pikë në rend dite, por është shtuar si propozim shtesë nga ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Asnjë nga ministrat nuk ka votuar kundër.

“Ministrat nuk ishin të njoftuar me thelbin e çështjes”, sqaron ministrja e mjedisit jetësor Kaja Shukova. Për momentin ministrat kishin në dispozicion vetëm shpjegimin e dhënë nga Ministria e Ekonomisë, në të cilin shkruante se Gjykata Administrative ka urdhëruar shkrirjen e koncesioneve.

“Nuk e dinim se vendimi i Gjykatës Administrative nuk kërkon që qeveria të shkrijë koncesionet”, pohoi ministri Oliver Spasovski, i cili, si shumica e kolegëve të tij, nuk kishte arsye të dyshonte në dokumentin e ministrisë të cilin e prezantoi Bekteshi. Ai për këtë tha se mendimi i tij personal është që të mos ketë minierë nëse një gjë të tillë nuk e dëshiron popullata vendase.

Ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tha se gjatë seancës ministrat nuk kanë kohë t’i shqyrtojnë të gjitha materialet për pikat që janë në rendin e ditës të vetë seancës, por se në raste të tilla mbështeten në shpjegimin që marrin nga ministria përkatëse.

“Mendoj se është e nevojshme që në seancën e ardhshme Qeveria ta rishqyrtojë vendimin për shkrirjen e koncesioneve të “Euromax Resources”. Nëse kemi marrë një vendim të gabuar, ai duhet të korrigjohet. Qytetarët atje nuk duan minierë dhe kjo duhet respektuar, duhet të merret parasysh vullneti i qytetarëve dhe prandaj nevojitet një revizion”, tha ministrja Petrovska.

Ndryshe, protesta e banorëve të tri komunave nga juglindja – Strumicë, Bosilovë dhe Novosellë e organizuar sot në udhëkryqin në qendër të Strumicës, pranë tregut të qytetit “Global”, është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.