Pini ujë dhe bëni dush para se të flini, Instituti për Shëndetin Publik jep këshilla për netët e nxehta

Pini të paktën një gotë ujë para se të flini dhe mbani ujë afër përgjatë natës, kurse për të fjetur zgjidhni veshje të gjëra dhe të pambukta. Këto janë disa prej këshillave që sot i publikoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), për shkak të motit të nxehtë dhe temperaturave të larta, shkruan Portalb.mk.

“Në netët e nxehta, trupi ynë e ka të vështirë të gjejë ekuilibrin termik dhe kjo do të thotë se do ta kemi të vështirë të flemë gjumë. Moti i nxehtë mund të shkaktojë më shumë ndërprerje të gjumit gjatë natës, duke bërë kështu që njerëzit të ndihen më të lodhur ditën tjetër“, shkruan në njoftimin e ISP.

Temperatura ideale e dhomës për të fjetur është midis 19-21 gradë Celsius. Sipas ISHP, çarçafët, mbulesat dhe pizhamet ndihmojnë në krijimin e një mikroklime rreth lëkurës sonë që ruan këtë temperaturë ideale.

“Nëse një mbulesë jorgani është shumë, mund të përdoret një çarçaf i hollë për një gjumë më të mirë gjatë natës. Hapja e dritareve mund të ndihmojë nëse fryn një erë e lehtë (nëse ka mbrojtje adekuate nga insektet), por zhurma e jashtme ndonjëherë mund të jetë një faktor negativ për një gjumë cilësor. Para se shkoni në shtrat bëni një dush të vakët ose të ftohtë ose lani duart, këmbët, fytyrën dhe qafën për ta ulur kështu ngadalë temperaturën e trupit” gjithashtu shkruan në njoftim.

Gjithashtu duhet të shmangim alkoolin, kafeinën dhe ushqimet pikante në mbrëmje sepse ato e rrisin temperaturën e trupit.

Ditëve të fundit Maqedonia e Veriut ballafaqohet me temperatura shumë të larta njëra anë, por dhe stuhi dhe rreshje të fuqishme në disa vende.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancë miratoi disa rekomandime:

  • Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më cënueshme të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
  • Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
  • Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për të vetmuarit, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët. Punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.

Sa të rrezikshme janë temperaturat e larta?