RMV, shporta mesatare e konsumit në tetor arriti në 59.149 denarë, për 942 denarë më shumë se në shtator

Shporta mesatare e konsumit në tetor ka kushtuar 59.149 denarë, që është për 942 denarë ose 1,6 përqind më shumë krahasuar me shtatorin, njoftoi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk.

Në një brifing me gazetarët, Durmishi informoi se rritja më e madhe e shpenzimeve është shënuar te ushqimet dhe pijet, veçanërisht te perimet dhe frutat. Shtrenjtim është vërejtur edhe te banimi, veshmbathja dhe këpucët, rekreacioni dhe kultura, si dhe te energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse.

Ai theksoi se Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) i ndjek çmimet çdo ditë dhe se, për momentin, ato janë brenda asaj që e cilësoi si stabilitet relativ të tregut.

“Qëllimi ynë është të ndërhyjmë vetëm nëse ka nevojë, përkatësisht nëse ekziston arsyeshmëri ekonomike. Kur të njoftohemi nga ISHT-ja se ka sjellje devijuese nga ana e tregtarëve, atëherë do të veprojmë”, deklaroi Durmishi.

Duke folur për inflacionin, ministri theksoi se norma mujore në tetor ishte 0,4 përqind, ndërsa ajo vjetore arriti në 3,3 përqind.

Durmishi tha se treguesit analizohen me kujdes dhe vlerësoi se inflacioni në vend është më i ulët se ai në eurozonë, për të cilën tha se arrin në katër për qind.

“Inflacioni te ne duhet të jetë nën tre për qind dhe këtë do ta arrijmë deri në fund të vitit”, tha ministri.

Sa i përket pagës minimale, Durmishi informoi se Qeveria po punon me përkushtim për rritjen e saj.

Shporta mesatare e konsumit për një familje katëranëtarëshe në shtator kishte kushtuar 58.117 denarë, që ishte për 358 denarë më pak krahasuar me gushtin, por për 1.736 denarë më shumë në krahasim me janarin.