Jo për minierën Illovicë-Shtukë, mijëra qytetarë protestojnë në Strumicë

Mijëra qytetarë nga mbarë vendi u mblodhën sot në një protestë në Strumicë kundër hapjes së minierës së arit dhe bakrit në malin Ograzhden. Ata përcollën mesazhin se nuk do të lejojnë që fusha pjellore e Strumicës të bëhet viktimë e apetiteve të bizneseve. “Gërmoni sytë tuaj, jo arin e malit”, “Familje e lumtur ose minierë e vdekjes”, “Ta ndalojmë para se të na vrasë” janë vetëm disa nga mesazhet që mund të dëgjoheshin gjatë protestës, raporton Portalb.mk.

Shoqata Zdrava Kotlina nga Strumica dhe Eko Dolina nga Novo Sella e organizuan këtë event pasi Qeveria miratoi një vendim me të cilin shkrihen koncesionet për minierën “Illovica-Shtuka”, pas vendimit të Gjykatës Administrative për ta pranuar padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për ndërprerjen e kontratës për një nga koncesionet dhe në këtë mënyrë edhe e ringjallën idenë e gërmimit të luginës pjellore.

Pjesëmarrësit në protestë sot bënë apel që në luftën kundër minierës të mblidhen të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm që kujdesen për jetën, sepse, siç thonë ata, duke ndenjur pasivë do të lejojnë që të fuqishmit të diktojnë se si të jetojnë, në një mënyrë që nuk është në harmoni me natyrën.

“Gjyshërit tanë në të kaluarën kanë zgjedhur lirinë ose vdekjen, ndërsa kjo sot është një zgjedhje mes jetës dhe vdekjes. Dikush mendon se mund të vijë dhe të shkatërrojë jetën, të bëjë gjenocid. Nuk duhet të jemi ekspertë për ta kuptuar se një minierë e përmasave të tilla do të shkaktojë ndotje të madhe”, thonë qytetarët.

Eko aktivisti Mitko Ristomanov nga Eko Dolina bëri apel deri tek Qeveria dhe gjykatat kompetente që të ndalojnë, siç thotë ai, me vendimet e turpshme dhe skandaloze në kundërshtim me të gjitha ligjet. Ai thotë se do të luftojnë deri në fund për mjedisin e tyre të shëndetshëm dhe të pastër, për fushën pjellore të Strumicës për të cilën thotë se nuk do ta humbasin për shkak të një miniere.

“Të gjitha argumentet ligjore janë në anën tonë dhe aktet e paligjshme nuk mund të fshihen më. Do të vazhdojmë me të gjitha metodat e protestës deri në arritjen e qëllimit final që është heqja e dy koncesioneve tashmë të skaduara të Euromax Resources”, thotë Ristomanov.

Në shtatë vitet e fundit janë mbajtur më shumë se tridhjetë protesta në të tri komunat e prekura, ndërsa Ristomanov thotë se aktivistët nuk do të lodhen kurrë.

“Nuk do të ketë minierë, ne do t’i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë deri në fund. Tarifa e deklaruar e koncesionit prej dy përqind që do t’i mbetet shtetit është qesharake në krahasim me fitimet që do të bëjë koncesioneri. Pasojat negative për mjedisin jetësor janë të tmerrshme, do të hapet një gropë me thellësi prej 600 metrash dhe do të krijohet një liqen me mbeturina nga minierat me mbi 210 milionë metër kub toksina në kodrën mbi Illovicë dhe Shtukë. Era do të shpërndajë pluhur toksik, do të ketë dridhje të vazhdueshme nga shpërthimet, nga vetë shkëmbinjtë do të krijohet acid sulfurik natyror dhe do duhen mbi 2.000 vjet që natyra të vetëshërohet”, thotë Ristomanov.

Organizatorët patën mbështetje nga 41 organizata qytetare dhe shtatë profesorë. Ata kërkuan që institucionet urgjentisht dhe menjëherë të revokojnë koncesionin e shkrirë për minierën Illovica-Shtuka dhe e theksuan rrezikun e madh për shëndetin dhe mjedisin jetësor në rajonin e Strumicës që buron nga hapja e minierës.

“Ne japim mbështetjen tonë për banorët e rajonit dhe për aktivistët civilë që për vite me radhë luftojnë kundër hapjes së kësaj miniere të rrezikshme në këtë oazë bujqësore dhe ngremë zërin kundër këtyre zhvillimeve patologjike në shoqërinë maqedonase”, thuhet në mbështetjen për organizatat e shoqërisë civile.

Ndryshe, protesta është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica-Shtuka” pasi Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për njërin prej koncesioneve.

Me këtë vendim, qeveria edhe një herë i hapi rrugën realizimit të synimeve për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës. Më herët, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative la në fuqi padinë e kompanisë “Euromax Resources” kundër vendimit të Qeverisë për zgjidhjen e kontratës për një nga koncesionet, pasi Gjykata e Lartë Administrative në tetor të vitit të kaluar e ktheu çështjen në rivendim për herë të tretë. Ajo ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave të qarkut dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor.