Qeveria e RMV-së do të ketë mbikëqyrje joqeveritare për zbatimin e Agjendës Reformuese

Maqedonia do të marrë 750 milionë euro nga Bashkimi Evropian nëse zbaton Agjendën e Reformave, si pjesë e Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Por, ashtu si me paratë e tjera evropiane, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë siguruar gjithashtu fonde për monitorim, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Tashmë është formuar një Aleancë qytetare për reformë dhe rritje me përfaqësues nga disa organizata joqeveritare. Ata kanë krijuar një metodologji sipas së cilës do të duhet të monitorojnë progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Metodologjia lejon monitorimin sistematik të progresit, vlerësimin e përputhshmërisë së reformave me ligjin e BE-së, identifikimin e pengesave në zbatim dhe forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në proces.

Andreja Stojkovski nga Instituti Prespa thotë se monitorimi i zbatimit të Agjendës së Reformës nuk do të jetë vetëm një “kontroll i thjeshtë”.

“Për shembull, me gjyqtarët, duhet të shihet nëse zbatohet parimi i karrierës, nëse zbatohen ligje të tjera që përshkruajnë procesin e emërimit të tyre ose avancimin e tyre në gjykatat më të larta. A publikohen ranglistat, nëse ata që u renditën më lart në listë emërohen në fund, etj. Kur flasim për masa të tjera, atëherë duhet të monitorojmë se si zbatohet legjislacioni përkatës, si ndiqen procedurat që janë përshkruar tashmë, në mënyrë që të arrihet masa e dëshiruar”, thotë Andreja Stojkovski – drejtore ekzekutiv i Institutit Prespa.

Organizatat e shoqërisë civile do të publikojnë dy lloje raportesh monitorimi – ex-ante dhe ex-post.

“Monitorimi ex-ante është i nevojshëm në mënyrë që të mund të njoftojmë kur afrohet afati i saktë për zbatimin e një hapi ose mase reformuese – kemi ende shumë punë për të bërë, këto hapa janë ndërmarrë deri më tani, duhet ta kishim zbatuar në këtë mënyrë, etj. Në mënyrë që të mund të bëjmë ex-post – nëse masa është zbatuar më në fund, në çfarë mënyre dhe në çfarë mase u pranuan idetë tona, etj.”, shton Stojkovski.

Metodologjia për monitorimin e Agjendës së Reformës mbulon të pesë shtyllat.

Instituti për Kërkime dhe Politika Ekonomike “Finance Think” është i përfshirë në monitorimin e reformave në fushën e menaxhimit të financave publike. Drejtoresha Ekzekutive Blagica Petreski thotë se kjo është një fushë e rëndësishme, reforma e së cilës mund të përmirësojë disiplinën fiskale dhe të rrisë efikasitetin dhe efektivitetin në shpenzimin e parave publike.

Materialin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Ndryshe, Agjenda Reformuese e Maqedonisë së Veriut është e ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përcaktuar qëllimet dhe koherenca e Agjendës Reformuese, ndërsa në pjesën e dytë janë përshkruar fushat e politikave dhe reformave të ngjashme. Ajo përfshin 136 aktivitete të organizuara në pesë fusha prioritare:

  1. Fusha e politikës 1: Qeverisja/Reforma në Administratën Publike dhe Menaxhimi i Financave Publike
  2. Fusha e politikave 2: Energjetikë/tranzicioni digjital. Këtu hyjnë nënfushat: reformat e tregut, dekarbonizimi, burimet e ripërtëritshme, miratimi i sistemit të tregtimit të emetimeve, efikasiteti energjetik dhe ndotja e ajrit, siguria kibernetike, digjitalizimi,
  3. Fusha e politikës 3: Kapitali njerëzor me nënfushën e saj Aftësitë arsimore.
  4. Fusha e politikës 4: zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi afarist me nënfushën: mjedisi afarist.
  5.  Fusha e politikës 5: Bazat/sundimi i ligjit me nënfushat: demokracia, pavarësia, cilësia dhe integriteti i gjyqësorit, konsolidimi i funksionimit të këshillit gjyqësor, efikasiteti i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, kthimi i pronës.

Shtatë përqind ose 52.5 milionë euro janë para që shtetet i marrin paraprakisht për të zbatuar këto reforma. Ato RMV-së i janë paguar tashmë në mars të këtij viti. Pjesa tjetër do të vijë në këste, varësisht nëse shteti do t’i përmbushë reformat brenda afatit të premtuar. Secila prej 136 aktiviteteve ka afat të caktuar. Nëse qeveria e përfundon aktivitetin brenda këtij afati, ajo i dërgon një raport Komisionit Evropian, i cili përfshin edhe dëshmi të punës së bërë. Komisioni, brenda pesëmbëdhjetë ditësh, e shqyrton dhe vlerëson progresin dhe, nëse është i kënaqshëm, e miraton pagesën e parave. Nëse një detyrim nuk përmbushet në kohë, ka një periudhë prej një viti në të cilën vendi mund ta korrigjojë atë. Për të përdorur plotësisht fondet, reformat duhet të përfundojnë deri në dhjetor 2027.

Kryeministri Hristian Mickoski dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen / Foto: Qeveria e RMV-së

Testi i parë serioz për vendin erdhi në mars të këtij viti. Deri atëherë, duhej të përfundoheshin pesë reforma, kryesisht ndryshime të ligjeve: Ligji për Shoqëritë Tregtare duke futur rregulla të reja për emërimin e anëtarëve të pavarur në bordet e kompanive shtetërore, Ligji për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik, si dhe ndryshimet në Ligjin për Buxhetet, duke përfshirë krijimin e një regjistri të entiteteve publike. Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani thotë se këto detyrime janë përmbushur dhe se pret të marrim deri në 17 milionë euro.

“Ende nuk kemi marrë paratë për këtë pjesë. Kemi çuar kërkesë dhe pas 90 ditësh pune Komisioni do të deklarohet. Nëse ata konsiderojnë se dokumentet e propozuara janë të mjaftueshme që ata të arrijnë në përfundimin se reformat janë zbatuar me sukses, atëherë bazuar në kërkesën tonë, do të paguhen 17 milionë euro. Ne kemi pasur pesë hapa për të përmbushur. Nëse të pesë hapat konsiderohen të suksesshëm nga Komisioni Evropian, atëherë ne do të marrim 17 milionë euro. Nëse konsideron se një hap i caktuar nuk është përmbushur 100%, atëherë ajo shumë do të zvogëlohet”, tha Murtezani.

Afati i radhës për të dorëzuar raport për reformat dhe për të kërkuar paratë e radhës (70 milionë euro) është fundi i qershorit, të cilat siç përmendëm më lartë janë 16.

Kujtojmë se Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.