Mucunski kërkoi zyrtarisht takim me ministren e jashtme bullgare javën e ardhshme në Sofje
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme konfirmuan për MIA-n se të premten është kërkuar një takim ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Velislava Petrova-Çamova, i cili do të mbahej javën e ardhshme në margjinat e takimit ministror kushtuar Korridorit 8, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski, të premten (2 tetor) në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se si ajo e kishte pranuar propozimin e tij që BE-ja të përfshihej në bisedimet e Maqedonisë me Bullgarinë, tha se ajo e kishte këshilluar që si hap të parë të kërkohej një takim zyrtar dypalësh gjatë vizitës së ministrit Mucunski në Sofje javën e ardhshme.
“Pra, do të përpiqem të jem konkret në përgjigjen ndaj pyetjes suaj dhe të dal nga fjalori formal diplomatik. Nga presidentja mora këshillën që, meqë javën e ardhshme ministri ynë i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të jetë në Sofje, arsyeja për këtë janë Korridori 8 dhe projektet që po i zhvillojmë në kuadër të këtij korridori, t’i kërkojmë nikoqirit një takim në nivel dypalësh. Menjëherë i kërkova ministrit të dërgojë një notë diplomatike dhe të kërkojë një termin për takim me homologen e tij, në mënyrë që ta fillojmë dhe ta çojmë procesin përpara nga një pikë,” tha Mickoski.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten (më 2 tetor) vizitoi Shkupin, prej ku paralajmëroi se që javën e ardhshme duhet të ndërmerret një hap i ri në përpjekjen për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, ajo tha se në takimin e tyre është dakorduar që procesi të fillojë sërish të lëvizë.
Me vizitën në Shkup, Von der Leyen e përfundon turneun e këtij viti nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë ditëve të fundit ajo vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Shefja e Komisionit Evropian këtë herë i anashkaloi Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto dy vende.
Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut.