Përmes xhiros me biçikleta u shënua 1 Qershori në Tetovë 

Dita e Fëmijëve e njohur ndryshe si 1 Qershori në Tetovë u shënua përmes një xhiroje me biçikletë nëpër qytet, raporton Portalb.mk

Siç thonë organizatorët, shoqata “Më Mirë për Tetovën”, ky aktivitet solli gëzim dhe bashkëpunim mes qytetarëve të të gjitha moshave.

“Interesimi ishte i madh, veçanërisht nga fëmijët, të cilët shijuan aktivitetin dhe atmosferën festive. Faleminderit për pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve që përmes këtij aktiviteti dërguan një mesazh të fuqishëm për përdorimin e biçikletës si mjet alternativ dhe ekologjik”, thanë nga Më Mirë për Tetovën. 

Në fund të aktivitetit, u shpërndanë edhe 3 biçikleta për fëmijët, përmes një loje shpërblyese të organizuar me numrat e regjistrimit. 

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.