Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani që mori paratë sipas Planit të Rritjes

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në një konferencën për shtyp tha se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që ka marrë këstin e parë prej 52.2 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje nga ana e Komisionit Evropian. Këtë e njoftoi edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Kësti është në vlerë prej 52.2 milionë euro, gjegjësisht 7% nga vlera e përgjithshme e ndihmës financiare për vendin, e cila, siç e dini, arrin vlerën rreth 750 milionë euro. Kjo pagesë është në bazë të kërkesës për parafinancim, për të cilën në nëntor të vitit të kaluar raportuam se, si koordinator nacional për Agjendën reformuese e nënshkrova dhe e dorëzuam deri tek KE-ja. Me këtë, Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon i cili i arkëton këto mjete, pasi që paraprakisht janë ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshme, gjegjësisht i përfundoi procedurat ligjore, dmth Marrëveshjen për huamarrje dhe Marrëveshjen për grant hynë në fuqi”, tha Murtezani.

Ministri tha se lajmi i dytë i rëndësishëm që lidhet me Agjendën reformuese është ajo se më datë 14 mars të vitit 2025 Komisionit Evropian, në afatin e paraparë i është dorëzuar kërkesa e parë për lirimin e mjeteve në vlerën prej 17.1 milionë euro për implementimin e hapave konkretë të reformave.

“Në kërkesë i theksuam aktivitetet e realizuara deri në dhjetor të vitit 2024 (afati i cili nga Komisioni ishte zgjatur deri në shkurt të vitit 2025)”, shtoi ministri.

Edhe nga Delegacioni i BE-së thonë se pas përgatitjes së Agjendës Reformuese të vendit, Maqedonia e Veriut është vendi i parë që do të marrë parafinancimin e parashikuar në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Parafinancimi në vlerë prej 52.2 milionë euro është në vijim e sipër dhe ka për qëllim të mbështesë zbatimin e Agjendës Reformuese dhe angazhimeve që Maqedonia e Veriut ka marrë me të.

“Me këtë parafinancim Maqedonia e Veriut do të marrë 24.5 milionë euro për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave të parapara me Agjendën Reformuese, ndërsa 28 milionë euro do të injektohen drejtpërdrejt në WBIF (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) dhe do të përdoren për projekte infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet strukturore të kërkuara, në Maqedoninë e Veriut do të mbështeten me 750.4 milionë euro në total nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2024 – 2027, me fokus në prioritetet në administratën publike, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, dekarbonizimin dhe digjitalizimin, lidhshmërinë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor”, thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së.

Procesi i integrimit në BE kërkon një sërë reformash që do të çonin në një konvergjencë të përshpejtuar socio-ekonomike me Bashkimin Evropian dhe tregun e tij të vetëm. Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor synon integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, duke përfshirë qasjen progresive në tregun e vetëm të BE-së. Plani mbështetet nga një instrument i ri financimi i bazuar në performancë, Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai përbëhet nga deri në 6 miliardë euro në total për periudhën 2024-2027, nga të cilat 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi favorizuese. Të paktën gjysma e programit të përgjithshëm do të mbështesë investimet në infrastrukturë dhe lidhshmëri duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital. Pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare dhe të destinuara për zbatimin e reformave.

Për të përfituar nga Fondi, çdo vend duhej të përgatiste një Agjendë Reforme, e cila konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni Evropian pas vlerësimit pozitiv nga Këshilli i BE-së. Lëshimi i fondeve të parashikuara për çdo vend do të kushtëzohet me zbatimin me sukses të Agjendave Reformuese. Agjenda Reformuese është një mekanizëm që synon të sigurojë zbatimin e reformave të nevojshme që do të çonin në transformimin shoqëror duke përshpejtuar përafrimin e fushave prioritare me vlerat, politikat dhe praktikat e BE-së.

Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Ministria për Çështje Evropiane tha po zhvillon një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese. Kjo platformë duhet të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Megjithatë kanë kaluar katër muaj që kur ministri Murtezani, deklaroi se Platforma online për zbatimin e Agjendës Reformuese do të përgatitet në “afat sa më të shpejtë të mundur”. Tani, pas gjithë kësaj kohe, kjo platformë ende nuk është gati dhe nuk dihet as sa do të zgjasë përgatitja e saj.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.2 milionë euro.

Edhe pse pritej që Bashkimi Evropian nga fillimi i vitit të dërgonte këstin e parë të Planit të rritjes, prej 52.2 milionë eurove për Maqedoninë e Veriut, e njëjta po vonon. Sipas Ministrisë së Çështjeve Evropiane (MÇE), vendi i ka kryer detyrat e veta për tërheqjen e këtyre parave, por të pyetur nga Portalb.mk, nuk dhanë përgjigje për afatet dhe procedurat përfundimtare që mund të çojnë në realizimin e pagesës së parë. Nga ana tjetër, nga Bashkimi Evropian thonë se vonesat janë shkaktuar për shkak të procedurave të ratifikimit të marrëveshjeve në pesë vendet e Ballkanit, dhe se deri në prill do të lëshohen paratë.