Qeveria e miratoi Ligjin për përfaqësim të drejtë, Mickoski: Një administratë profesionale nuk është çështje e përkatësisë etnike
Qeveria e Maqedonisë s Veriut miratoi Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Sipas kryeministrit Hristijan MIckoski, me këtë ligj hapet një kapitull i ri i profesionalizmit në sektorin publik. Ligji në fjalë shkaktoi dje reagime të ashpra nga opozita. Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Evropian e kritikojnë për mungesë transparence dhe për përmbajtje që, sipas tyre, cenon parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë të komuniteteve. Ata kundërshtojnë heqjen e mekanizmit të balancuesit dhe mungesën e një kalkulatori proporcional dhe masave ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin. Pushteti, nga ana tjetër, mbron ligjin si garantues të barazisë për të gjitha komunitetet, transmeton Portalb.mk.
“Që nga dita e parë e mandatit, Qeveria që drejtoj është e përkushtuar në avancimin e marrëdhënieve ndëretnike si një nga shtyllat më të rëndësishme për ndërtimin e një shteti stabil, të drejtë dhe evropian. Ky përcaktim fiton peshë më të madhe nëse e kemi parasysh kaosin, përçarjet, klientelizmin dhe keqpërdorimet masive që i la pas qeveria e mëparshme. Detyra dhe përgjegjësia jonë është ta tejkalojmë këtë gjendje të trashëguar dhe të ndërtojmë institucione që nuk përçajnë, por bashkojnë – institucione të cilat i hapin dyert për më të mirët, më të arsimuarit dhe më të suksesshmit. Sot, Qeveria e miratoi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat – një ligj me të cilin hapim një kapitull të ri të profesionalizmit në administratën publike, si në nivel shetëror ashtu edhe në atë lokal. Ky ligj ka një qëllim të qartë: administrata të jetë vërtet në shërbim të të gjithë qytetarëve, por e ndërtuar mbi merita, dije, profesionalizëm dhe integritet në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Ndryshe nga koha kur libreza partiake ishte më e rëndësishme se diploma dhe profesionalizmi, ne po vendosim një standard të ri: dije, integritet dhe merita”, tha Mickoski.
Kryeministri, në vend të përfaqësimit të komuniteteve, gjatë gjithëë kohës përmendte meritokracinë për punësimr. Ai shtoi se kanë obligim “që pas kaq shumë vitesh keqpërdorime – të shkëputemi nga e kaluara duke ndërtuar institucione që nuk i mbështesin të dëgjueshmit, por i vlerësojnë të aftët”.
“Një sektor publik ku një i ri i kualifikuar mund të përparojë. Këtë propozim-ligj po e dërgojmë për shqyrtim në Komisionin e Venecias – sepse duam standarde më të larta dhe përputhje të plotë me vlerat evropiane. Ligji do t’i dorëzohet Kuvendit vetëm pas marrjes së mendimit nga Komisioni i Venecias. Me këtë ligj vendosim balanc dhe e vendosim edhe themelin për një administratë profesionale, transparente, moderne dhe multietnikisht të fortë”, tha kryeministri.
Mickoski shtoi se një administratë e fuqishme dhe profesionale nuk është çështje përkatësisë etnike – ajo, shtoi ai, është po aq e rëndësishme për çdo qytetar, pa dallim nga cila bashkësi vjen.
“Kur institucionet janë të drejta dhe efikase, të gjithë qytetarët marrin shërbime më të mira. Kjo është baza e një besimi ndëretnik të qëndrueshëm dhe e një bashkimi të vërtetë. Ligji është një garanci se bashkësitë etnike do të jenë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, por njëkohësisht në një proces të tillë ai do ti mbrojë të kualifikuarit nga të gjitha bashkësitë etnike. Ky ligj është një balanc i shkëlqyer dhe një nxitje për cilësinë – dhe i mbron të drejtat e të gjithëve. E përgëzoj koalicionin VLEN dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera etnike – ky është një ligj shumë i rëndësishëm për maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët, vllehët dhe për të gjithë por edhe për të gjithë të tjerët sepse është një ligj që stimulon dhe jep mundësi dhe njëkohësisht ruan cilësinë”, tha Mickoski.
Opozita nga ana tjetër e ka kritikuar ligjin
“Ligji për përfaqësim të drejtë është bllokuar ose më saktë përmes një procesi prej dhjetë muajsh, në fshehtësi të lartë, nesër pritet të miratohet propozim-ligj që nuk ka të bëjë me përfaqësimin por me nënçmimin dhe degradimin e plotë të shtyllës kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe të bashkësive të tjera”, tha dje Blerim Bexheti, Fronti Evropian.
Aleanca për Shqiptarët nga ana tjetër thotë se përmbajtja e propozimligjit është shqetësues. Ata shtojnë se ky propozim përfaqëson një hap prapa në respektimin e një prej parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut: përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.
“Mungesa e mekanizmave detyrues për zbatim, konkretisht mospërfshirja e një kalkulatori proporcional bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, është një mangësi thelbësore e këtij propozimligji. Gjithashtu, mungojnë dispozita që kërkojnë që çdo konkurs pune në sektorin publik të kalojë përmes këtij kalkulimi, si dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, gjë që e bën këtë iniciativë joefektive dhe jofunksionale në praktikë Delegimi i kompetencave tek një “trup koordinues” pa mandat ekzekutiv, pa pavarësi institucionale dhe pa mjetet e nevojshme për mbikëqyrje dhe zbatim të ligjit, nuk garanton avancimin e përfaqësimit të drejtë. Përkundrazi, ky trup do të ketë më shumë rol simbolik dhe deklarativ, pa kapacitet për të ndikuar realisht në proceset e punësimit dhe përfaqësimit institucional. Zëvendësimi i mekanizmit të balancuesit me një strukturë formale pa fuqi reale është kthim në të kaluarën dhe vë në rrezik karakterin multietnik dhe demokratik të shtetit”, thonë nga ASH.
Aleanca për Shqiptarët kërkon rikthimin e kalkulatorit proporcional si mekanizëm të detyrueshëm për çdo institucion publik në proceset e punësimit, në përputhje me të dhënat zyrtare të regjistrimit dhe me Kushtetutën. Gjithashtu, kërkojnë vendosjen e masave konkrete ligjore ndaj institucioneve që nuk zbatojnë përfaqësimin e drejtë, përfshirë ndalimin e punësimeve të reja, si dhe përgjegjësi administrative dhe penale për drejtuesit përkatës.
Përfaqësuesi i VLEN-it, Bekim Qoku ndërkohë thotë se ligji pretendon të ketë barazi dhe garancë për përfaqësim të drejtë.
“Ligjin e presin nesër të kaloj në Qeveri, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një ligj i pritur tash e 20 e ca vjet, do të kaloj nesër në Qeveri, pas asaj e presim që të vijë në procedurë parlamentare. Ligji prandaj bëhet, ka karakter universal dhe pretendon të ketë barazi sepse para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe ai bëhet që të garantoj një përfaqësi të drejtë për të gjitha komunitetet, përfshirë komunitetin maqedonas, shqiptar, turk e kështu me radhë”, tha dje Qoku.
Procesit të përpilimit të kësaj zgjidhje ligjore që nga fillimi i ka munguar transparenca. Fillimisht u premtua debat publik. Mirëpo, opinioni nuk pa asnjë debat publik për ligjin. Nga një prolongim në tjetër, procesi hodhi dyshime në opinion për një ligj të dobët dhe jo në dobi të shqiptarëve.
Kujtojmë se, Portalb.mk, jo nga transparenca e bartësve politik të procesit, por nga burime tjera ka njoftuar se ekipin që punon në zgjidhjen ligjore e përbëjnë: Tanja Karakamisheva, Aleksandar Spasenovski, Denis Preshova, Jeton Shasivari dhe Mersim Maksuti.
Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afate. Portalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.