Deputetët në RMV i zgjodhën anëtarët e Këshillit të AShMAA-së

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sot miratoi Projektvendimin për Emërimin e Anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale (AShMAA), transmeton Portalb.mk.

Sipas vendimit, për anëtarë u zgjodhën Viktor Pavlovski, inxhinier i diplomuar i informatikës së prodhimit nga Shkupi, Sasho Stefanovski, i diplomuar në art filmik dhe kameraman televiziv nga Shkupi, Petar Xhurovski, redaktor i diplomuar i filmit dhe televizionit nga Shkupi, Cvetanka Minovska, gazetare e diplomuar nga Shkupi, Afrona Vërzivolli, ekonomiste e diplomuar nga Shkupi, Gordana Majnova, ekonomiste e diplomuar dhe magjistër e studimeve të komunikimit, dhe Zërijeta Jajaga, profesoreshë e diplomuar e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe magjistre e diplomacisë nga Shkupi.

Dje, Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime miratoi unanimisht Projektvendimin e ri për Emërimin e Anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), sipas të cilit, në përbërjen e propozuar të Këshillit, u propozua që Jajaga të zëvendësojë Nafije Selmanin, profesoreshë e diplomuar e gjuhës dhe letërsisë shqipe nga Shkupi.

Projektvendimi, për miratimin e të cilit kërkohej shumicë prej dy të tretash, u votua nga 95 deputetë, nga të cilët 90 votuan pro, 5 kundër dhe asnjë abstenim. Pro vendimit ishin edhe 20 deputetë që u përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë, ndërsa pesë ishin kundër.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, është zvarritur me vite, për faktin se partitë maqedonase nuk arrinin të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Kujtojmë se edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, u kërkua një gjë e tillë, pra të emërohen anëtarë të Këshillit Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.

Përzgjedhja e Afrona Verzivolit, e cila u emërua dhe më pas u shkarkua nga qeveria aktuale si kryerevizore e fondeve IPA për shkak të mospasjes së certifikatës ishte propozim i diskutueshëm që në fillim. Komisioni Antikorrupsion ka hapur lëndë për të vlerësuar mënyrën e përzgjedhjes së tyre.

Delegacioni i BE-së në Shkup ka theksuar nevojën e zgjedhjes së kandidatëve profesional në këshillin e Agjencisë së mediave kurse Ambasada e Gjermanisë deklaroi se kritikat që vinë nga nëpunësit mediatik për emrat e kandidatëve janë shqetësuese.

Në lidhje me emërimet në ASHMAA pati reaguar Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).

“Shprehim shqetësimin për zgjedhjen e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) në Komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime”, deklaruan nga SHGM-ja, duke vlerësuar se në atë seancë mungoi transparenca.

Ata theksojnë se disa nga kandidatët e përzgjedhur nuk i plotësojnë as kushtet e kërkuara, ndërsa disa tjerë problematike e kanë edhe historinë partiake, ndërkohë u anashkaluar kandidatët me karrierë profesionale.

Theksojmë se puna e rregullatorit të medias është nën vëzhgimin e rregullt nga Komisioni Evropian dhe organizata të tjera të besueshme si Reporterët pa Kufij dhe Freedom House”, paralajmëruan nga SHGM-ja, duke kërkuar nga deputetet të tregojnë përgjegjësi gjatë përzgjedhjes.